18:26 / E Martë, 26 Qershor 2018 / indeksADMonline

Sa para i mori shteti nga importi i veturave, gjatë vitit 2017?

Kufizimi i importit të veturave më të vjetra se dhjetë vjet hyri në fuqi më 1 janar 2018, me arsyetimin se në Kosovë po importohet një numër i madh i veturave të vjetra që po shkaktojnë probleme si në komunikacion, por edhe në ndotje të mjedisit.

“Me rastin e përcaktimit të vjetërsisë të merret për bazë viti i parë i regjistrimit i cili duhet të jetë brenda periudhës 01 janar-31 dhjetor të vitit 2008. Kjo nënkupton se të gjitha automjetet të cilat janë regjistruar për herë të parë në këtë periudhë të vitit 2008 dhe i plotësojnë kushtet për lirimin e gazrave sipas standardi të përcaktuar me ‘Euro 4’ mund të importohen në Kosovë. I vetmi institucion në Kosovë i cili ka mundësi për përcaktimin e nivelet të lirimit të gazrave është institucioni i autorizuar për homologim ‘Eurolab’”, thuhej në njoftimin për media të Doganës së Kosovës.

E duket se ky vendim kishte ndikuar te qytetarët goxha shumë, pasi që në fund të vitit 2017, ishte rritur për 30% importi i veturave të vjetra. Madje, në atë vit, buxhetit të shtetit i ishin shtuar rreth 78 milionë euro, për shkak të taksave që u ishin vënë për importin e veturave nga vendet tjera.

Veturat që importoheshin në Kosovë, sipas doganës rreth 80% kishin qenë nga Gjermania.

“Numri gjatë këtij viti ka arritur në rreth 33000 mijë vetura si të përdorura po ashtu edhe të reja me vlerë prej 176 milionë euro. Numri më i madh i veturave të importuara në Kosovë, janë nga Gjermania, dikund rreth 80%”, pati thënë Adriatik Stavileci nga Dogana e Kosovës.

Por, përkundër që në fund të vitit të kaluar ishte rritur numri i importit të veturave të vjetra, kryesisht nga Gjermania, qytetarët ankoheshin për këtë vendim të Doganës së Kosovës, që në këtë vit, përveç që ua ndalonte importin e veturave të vjetra, por edhe ishte ulur dukshëm numri i tyre.

Kjo për shkak se sipas disa reagimeve, kushtet financiare të kosovarëve nuk ua lejojnë që të importojnë vetura më të reja se dhjetë vjet, dhe rrjedhimisht kjo po i shkaktonte edhe dëme në buxhetin e vendit.

Pas gjashtë muajsh nga ky vendi, gjatë ditës së sotme, Komisioni për Zhvillim Ekonomik, mori vendim që të heq nga ligji nenin që ua ndalonte importin e veturave më të vjetra se dhjetë vjet.

Ishte deputeti i PDK-së Mërgim Lushtaku ai që kërkoi që të hiqet ky kufizim e i cili u përkrah edhe nga kolegët e tij deputetë.

Lushtaku ka kërkuar edhe ndryshimin e nenit 63 të këtij ligji, për shpenzimet e larta për regjistrimin e automjeteve, në këtë rast në procesin e ndërrimit të pronarit.

Propozimin e Lushtakut e ka përkrahur edhe kolegia e tij Sala Berisha -Shala, e cila tha se edhe në aspektin e kontrollit të automjeteve ka shkelje të konkurrencës së lirë.

“Për mendimin tim, kjo është plaçka që iu bëhet qytetarëve, nuk deshta me shpreh më herët këtë çështje, por me të vërtetë është plaçkë kur dikush e ka një veturë, e regjistron, edhe pastaj dëshiron me ia shitë një pronari tjetër, e ai pronarë duhet të paguaj prej fillimit regjistrimin e veturës dhe kontrollin teknik. Ato mjete as nuk i kthehen pronarit të vjetër dhe as nuk i barten pronarit të ri. Kështu që ne si deputet për çdo ditë gjatë takimit me qytetarë, ata i shprehin këto brenga, por sigurisht se edhe për neve është shqetësuese, mirëpo për Qeverinë duhet me qenë edhe më shqetësuese”, ka thënë Lushtaku, transmeton kp.

Këto propozime i ka kundërshtuar përfaqësuesi nga Ministria e Infrastrukturës Avdi Kamerolli.

Sipas tij nuk ka nevojë të bëhet ndryshimi i ligjit për heqjen e përkufizimit të veturave, sepse sipas tij, Kosova shndërrohet në varreza me automjete të kalbura, të cilat rrezikojnë edhe trafikun.

“Ndryshimi neneve 44 dhe 63 dhe 39 është i panevojshëm dhe i paarsyeshëm për Ministrinë e Infrastrukturës, ndryshimet e propozuara krijojnë mundësi për çrregullim të tregut të importit të automjeteve, në dëm të sigurisë të komunikacionit rrugor dhe të shëndetit të qytetarëve në përgjithësi. Këto ndryshime ligjore, Kosovën e shndërrojnë në varrezë të automjeteve të vjetra dhe të kalbura të cilat e ndotin ambientin, ku siguria e tyre aktive dhe pasive është e mangët. Automjetet e reja janë më të sigurta në trafikun rrugor”, ka thënë Kamerolli.

Por propozimin e Lushtakut e mbështetën edhe deputetët opozitarë.

Hikmete Bajrami e LDK-së ka thënë se ndryshimi i nenit 44 për heqjen e kriterit për vjetërsinë e automjeteve duhet të analizohet mirë, ndërsa ka mbështetur ndryshimin e nenit 63 për procesin e regjistrimit të automjeteve.

“Sa i përket nenit 44 për heqjen e kriterit të vjetërsisë së veturave, unë konsideroj se na duhet një analizë pak më e detajuar për me parë me të vërtetë se a janë dëmtuar qytetarët, sa është ulë numri I veturave të vjetra e tjera… mendojë se një kriter i tillë ka pasur ndikim pozitiv qoftë në mbrojtjen e ambientit qoftë në ndryshimin e komplet të veturave”, ka thënë Bajrami.

Kufizimin e vjetërsisë për import të automjeteve e ka përkrahure dhe deputeti i VV-së, Liburn Aliu, i cili tha se një veturë mund të jetë vjetër, por ndoshta i plotëson kriteret dhe standarde për ndotje.

Pa asnjë votë kundër anëtarët e Komisionit për Zhvillim Ekonomik kanë përkrahur iniciativën e deputetit Mërgim Lushtaku për ndryshimin e Ligjit të Automjeteve.

Të dhënat zyrtare tregojnë se në Kosovë qarkullojnë mbi 315 mijë vetura të regjistruara, ku mesatarja e vjetërsisë së tyre që qarkullojnë në Kosovë është 18 vjet.