11:03 / E Hënë, 18 Qershor 2018 / k.v

Sallat e operacionit në QKUK po punojnë me kapacitet të plotë

Zyra e Drejtorit të Përgjithshëm e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar e Kosovës, njofton se të gjitha sallat e operacionit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, përfshirë edhe Klinikën e Urologjisë, kanë punuar dhe po punojnë me kapacitete të plota, pas furnizimit me sasi të bollshme të anestetikëve nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.

Bazuar në informatat nga drejtoria e Klinikës së Anestezionit dhe Mjekimit Intensiv, por edhe nga drejtoria e Klinikës së Urologjisë, të gjitha sallat e operacionit kanë punuar me kapacitet të plotë. Shkrimi i sotëm i gazetës “Zëri” është tendencioz dhe nuk paraqet të vërtetën, i njëjti pastaj është botuar edhe nga portalet tjera nuk paraqet realitetin së fundmi dhe të kësaj jave.

Protokollet- evidencat e sallave të operacionit në Urologji, vërtetojnë se janë kryer të gjitha operacionet e planifikuara dhe ato urgjente.Gjithsej vetëm dy javët e kaluar janë kryer 39 operacione me anestezion të përgjithshëm dhe nuk ka dështuar asnjë operacion.

Poashtu, Barnatorja Qendrore QKUK- SHSKUK, konfirmon se të gjitha klinikat dhe Spitalet e Përgjithshme janë të mbuluar për tre muajt e ardhshëm në sasi të mjaftueshme me anestetikë të nevojshëm për sallat e operacionit.

QKUK- SHSKUK, siguron të gjithë qytetarët që kanë nevojë, se sallat janë në funksion të plotë dhe këtë shërbim mund të marrin në çdo kohë në klinikat dhe spitalet përkatëse që janë në kuadër të SHSKUK.