13:59 / E Premte, 15 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Sefaj: Kemi zbatuar 80% të masave të planifikuara për MSA-në

Ministri i Punëve të Brendshme Flamur Sefaj, tha se kanë përmbushur në masë të madhe masat për planin kombëtar për zbatimin e MSA-së që kishin planifikuar për vitin 2017.

Sefaj, tha se për vitin 2017, MPB-ja ka planifikuar gjithsej 98 masa, nga të cilat 14 masa legjislative dhe 84 janë masa zbatuese. Ka planifikuar gjithsej 98 masa në kuadër të planit kombëtar për zbatimin e MSA-së. Sipas tij nga 98 masa, janë realizuar 77 masa, derisa 21 masa tjera janë në realizim e sipër.

Sipas Sefajt, nga këto masa, dy prej tyre janë planifikuar në kapitullin 14-të që është politika e transportit, 7 masa janë planifikuar në kapitullin 23 gjyqësori dhe të drejtat themelore, 88 masa janë planifikuar në kapitullin 24 që është drejtësia, liria dhe siguria dhe 1 masë është planifikuar në kapitullin 27.

“Gjatë periudhës 1 janar deri me 15 dhjetor 2017 nga 14 masa legjislative të planifikuara nga MPB, 5 masa janë përfunduar kurse 9 masa të tjera, 7 prej të cilave janë masa administrative nuk mund të miratohen pa aprovimin e Kuvendit të ligjit për azil dhe të huaj. Janë në realizim e sipër por me vonesë. Ndërsa, nga 84 masa zbatuese të planifikuara 72 masa janë përfunduar dhe 12 masa janë në realizim e sipër. Prej 84 masave zbatuese të planifikuara në kuadër të zbatimit të MSA-së, 45 janë masa që adreson në vazhdimësi, andaj konsiderojmë se janë të përmbushura. Në përgjithësi nga 98 masa që MPB është përgjegjëse deri me tani janë realizuar 77 apo 80 për qind, ndërsa 21 apo 20 për qind janë në realizim e sipër”, tha Sefaj.

Gjatë raportimit, ministri Sefaj kërkoi nga deputetët që ta ndihmojnë në miratimin e Projektligjit për pensionimin e pjesëtarëve të Policisë, i cili parasheh që rreth 2 mijë pjesëtarë brenda tri viteve të dalin në pension. Sefaj tha se këtë projektligj e kanë dërguar porse e ka bllokuar FMN-ja pasi sipas tyre, ka kosto të madhe financiare.

 

“Policia e Kosovës ka 2 mijë pjesëtarë që kanë avancuar në moshë realisht. Jemi duke punuar e kemi proceduar projektligjin për pensionimin e Policisë, do të kërkoj pastaj edhe ndihmën e juaj, edhe ju të loboni që të kaloj ky projektligj. Sepse do të na lejonte që t’i zgjidhim të gjitha këto probleme. Tani 2 mijë pjesëtar duhet për tri vite të pensionohen dhe të merren njësite të reja me kritere të moshës të cilat nuk kanë qenë më herët. Kjo po na shkakton probleme dhe t’iu jap edhe një statistikë, diku 600 pjesëtarë të Policisë janë të bllokuar në ruajtjen e objekteve të ndryshme qeveritare”, theksoi Sefaj.

Ministri Sefaj ka raportuar edhe për implementimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë që i përkasin Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Për këtë pikë, pati edhe një përplasje me deputetin e Vetëvendosjes Xhelal Sveçla dhe ministrit Flamur Sefaj.

 

“Ju si një zyrtar i paguar për t’i mbrojtur interesat e Kosovës duhet të bëni gjithçka që është e mundshme që këto interesa t’i mbroni, jo të ikni prej problemit. Gjuha ime nuk është fare konfliktuoze, nuk po them hajde ne ta dëmtojmë Serbinë se na ka dëmtuar që njëqind vjet. Unë po them kështu hajde mos ta lejojmë Serbinë të na dëmtoj siç na ka dëmtuar në të kaluarën, kur ne po themi se kemi shtet të pavarur dhe institucione. Tash ne mund të themi se po i mbyllim sytë dhe po pretendojmë si vitet e 90-ta se paskemi shtet, por realisht shteti qeky nuk është”, tha Sveçla.

Kjo deklaratë nervozoi ministrin Sefaj, i cili e quajti turp barazimin e shtetit të Kosovës me vitet e 90-ta.

 

“Krahasimi me vitet e 90-ta nuk është aspak i qëlluar, ne jemi shtet i pavarur. Ju po na ktheni mbrapa. Kemi vetura pa targa, çka po doni t’iu themi që nuk kemi apo qka, edhe Serbia ka thënë që Kosova nuk është problem një kohë, por i ka dal problem. Me falni nuk mund të bëni krahasim të republikës së Kosovës me vitet e 90-ta, është mëkat që ju jeni duke e thënë….”, theksoi Sefaj.

Deputeti Rexhep Selimi ngriti çështjen e përdorimit të tre lloj targave në Kosovë.

 

“Në Kosovë qarkullojnë minimum tre lloj targash, janë dy lloj targash të Kosovës që janë zyrtare dhe një palë targa që janë ilegale, përveç atyre të Serbisë që futen në Kosovë janë ato ilegalisht. Kam pasur rastin të vizitoj komunat veriore, kam lëvizur nëpër të gjitha pjesët dhe kam vërejtur se atje targa RKS as që ekziston”, tha Selimi.

Por, ministri Sefaj tha se janë duke vepruar karshi këtyre problemeve dhe ndalimin e qarkullimit të targave ilegale.

U ngrit edhe çështja e padive të ushtruara nga Policia e Kosovës për veprat penale në komunat veriore, derisa numri i ngritjes së aktakuzave është shumë më i vogël që përbën një disproporcion të madh.

Rashit Qalaj nga Policia e Kosovës tha se ka disproporcion mes padive të ngritura nga Policia dhe aktakuzave të ngritura nga prokuroria, por sipas tij, prokurori vendos për ngritjen e aktakuzës apo jo.