16:30 / E Enjte, 12 Korrik 2018 / indeksADMonline

Selimi ia adreson një pjesë të fajit Thaçit, për pjesëtarët serb të FSK-së

Deputeti i Kuvendit nga radhët e Vetëvendosjes, Rexhep Selimi ka folur lidhur me shqetësimin e pjesëtarve serb të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) të cilët po kërkojnë largimin nga ky institucion si pasojë e presionit të vazhdueshëm që po i bëhet nga Serbia.

Selimi gjatë fjalimit të tij ka lënë fajtorë Presidentin e vendit, Hashim Thaçi, i cili sipas tij, ka dhënë mundësi që Serbia të ndërhy në insititucionin e sigurisë në Kosovë, transmeton Indeksonline.

Ai ka theksuar se kjo gjendje duhet të mirret si alarmante në vendin tonë.

“Po flas për një shqetësim për zhvillimet e fundit me FSK-në për çështjet e ndryshme ku 40 pjesëtarë po dëshirojnë largimin, natyrisht se ky është problem por më shumë sesa 40 pjesëtarë, është Serbia që ka marrë fuqi për të ndërhyrë në institucionet më të rëndësishme të sigurisë, me këtë rast, roli që i është dhënë asaj për të ndërhyrë. Konkretisht, Thaci i ka dhënë mundësi më të madhe Vuciqit për të ndërhyrë në institucionin e Sigurisë, ndoshta  ai edhe mund t’i amnistojë serbët, por kjo situatë duhet të marrë fund menjëherë, jemi në mbrojtje të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, ka thënë Selimi.

Më tutje, deputeti i VV-së, ka shtuar se në rast se Vuçiqit i tolerohen këto lloje kompetenca, atëherë sipas tij, mund të ketë pasoja më të mëdha.

“Kush janë ata që po zbatojnë urdhra të Vuçiqit, janë ata që kanë kërcënuar dhe pastaj janë arrestuar nga policia e Kosovës, në fakt largimi i 40 pjesëtarve të FSK  e kthen situatën në një pikë zero sa i përket përpjekjeve të Kosovës për të avancuar drejt formimit të Ushtrisë”, ka pohuar ai.

Ndryshe, rreth 40 pjesëtarë të FSK-së kanë paraqitur tanimë kërkesën në këtë insitutucion lidhur me largimin e tyre. Zyrtarët e këtij institucioni kanë treguar se  si hyrja ashtu edhe dalja pa dyshim se është vullnetare në FSK. Sipas tyre, kërkesat e dyzet pjesëtarëve serb po bëhet si pasojë e presionit të vazhdueshëm të Serbisë./Indeksonline/