07:57 / E Premte, 23 Shkurt 2018 / indeksADMonline

SHBA akuzon Rusinë për vrasjet në Siri

Shtetet e Bashkuara kritikuan Rusinë për bombardimet në enklavën e Goutas Lindore të Sirisë, duke thënë se Moska ka “përgjegjësi unike” për vrasjen e mbi 400 njerëzve atje, në javën e fundit.

Departamenti amerikan i Shtetit i bëri thirrje Rusisë që të shfrytëzojë ndikimin e saj mbi Qeverinë siriane, për të ndaluar vrasjet.

Zëdhënësja Heather Nauert e fajësoi Rusinë për mosfrenimin e presidentit sirian, Bashar al-Assad, dhe të ushtrisë së tij, e cila po kryen sulme ajrore në Gouta – rajonin që kontrollohet nga rebelët.

“Çfarë po bëjnë për të ndaluar shkatërrimin, vdekjet, vrasjet në Siri? Pa mbështetjen e Rusisë, shkatërrimi dhe vdekjet nuk do të ndodhnin”, tha Nauert për gazetarët në Uashington.

“Rusia mban përgjegjësi unike për atë që po ndodh atje”, shtoi ajo.

Rusia, gjatë gjithë luftës shtatëvjeçare në Siri, i ka dhënë mbështetje politike dhe ushtarake regjimit të Assadit.

Temat: