11:50 / E enjte, 12 Tetor 2017

KOMF e alarmuar nga fruthi, bën thirrje të bëhen vizita mjekësore të fëmijëve nëpër shtëpia

KOMF e alarmuar nga fruthi, bën thirrje të bëhen vizita mjekësore të fëmijëve nëpër shtëpia

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve - KOMF ka reaguar mbi situatën e krijuar për rrezikimin e jetës së fëmijëve për shkak të mos imunizimit/vaksinimit. Si pasojë, dje, një fëmijë, 14 muajsh, ka humbur jetën. I njëjti ishte diagnostikuar me fruth dhe ishte konstatuar se nuk ishte i vaksinuar.

 KOMF u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve ligjor të fëmijëve, të vaksinojnë fëmijët në kohë për të parandaluar sëmundjet të cilat mund të jenë me pasoja fatale apo vdekjeprurëse. Imunizimi luan rol kyç për të reduktuar vdekshmërinë e fëmijëve, transmeton Indeksonline.

 Sipas Anketës së Grupimeve të Treguesve të Shumëfishtë në Republikën e Kosovës (ASK, UNICEF), më pak se katër të pestat (79%) e fëmijëve të moshës 24 deri 35 muaj janë plotësisht të imunizuar në përputhje me kalendarin e imunizimit të Kosovës. Në Kosovë 79% e fëmijëve të moshës 24-25 muajsh janë të vaksinuar plotësisht, përderisa vetëm 1/3 e fëmijëve janë të vaksinuar në mesin e komunitetit rom ashkali dhe egjiptian.

 Duke qenë se një nga arsyet për mbulimin e ulët të imunizimit është mungesa e njohurive dhe ndërgjegjësimit tek prindërit për pasojat shëndetësore tek fëmijët që nuk vaksinohen, KOMF u bën thirrje institucioneve shëndetësore të kujdesit primar (Qendrave të Mjekësisë Familjare) të realizojnë shërbimin e vizitave mjekësore në shtëpi për evidentimin e fëmijëve të pavaksinuar dhe zbulimin e sëmundjeve të fëmijëve. 

 Kjo do të ndihmonte në arritjen e grupeve të cenueshme, në nxitjen e përfshirjes sociale si dhe të sigurohet qasja në shërbimet bazë shëndetësore për grupet e margjinalizuara, që shpeshherë për shkak të ndërgjegjësimit të ulët, dështojnë të realizojnë imunizimin e fëmijëve të tyre. 

KOMF i bën thirrje QKUK-së në ofrimin e shërbimeve cilësore për fëmijët të cilët janë duke u trajtuar në QKUK si pasojë e mos imunizimit. 

KOMF i bën thirrje Ministrisë së Shëndetësisë të sigurojë në mënyrë të qëndrueshme barnat nga lista esenciale.

E drejta e fëmijës për trajtim shëndetësor si e drejtë themelore garantohet me Kushtetutën dhe me Legjislacionin e Republikës së Kosovës./Indeksonline/


 

Lexo të tjera