14:20 / E mërkurë, 09 Gusht 2017

Mbi 350 mijë dollarë donacion për shëndetësinë në Mitrovicë

Mbi 350 mijë dollarë donacion për shëndetësinë në Mitrovicë

Një donacion nga "Globus Relief" në SHBA, përmes “Islamic Relief-Kosova" që përmban paisje dhe material harxhues me vlerë 353 mijë e 758 dollarë amerikan, i është dhuruar sot Rrjetit të Qendrave Klinike të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Mitrovicë.

Gjatë ceremonisë së pranimit të donacionit, u tha se vlera e tregut mendohet të jetë disa herë më e lartë, ndërsa rrjeti i QKMF-së në Mitrovicë nuk do të ketë mungesë sa i përket materialit harxhues së paku 3-4 vitet e ardhshme.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka falënderuar përfaqësuesit e ‘Islamic Relief – Kosova’, për siç tha ai, punën e pakursyer që ka bërë kjo organizatë për qytetarët e Mitrovicës.

Në anën tjetër, drejtori i ‘Islamic Relief Kosova’, Ramadan Berisha, ka premtuar se organizata të cilën ai udhëheqë, nuk do të ndalet me kaq, por do të vazhdojë aktivitetin e saj humanitar në disa fusha.

Sipas tij, do të vazhdohet me projektet të cilat kanë për qëllim të nxjerrin njerëzit nga varfëria, siç janë projektet e jetesës së qëndrueshme dhe projektet në punësim.

Ndryshe, organizata ‘Islamic Relief ‘ kishte ndihmuar vitin e kaluar Ministrinë e Shëndetësisë dhe QKUK-në me mbi 3.5 milionë dollarë material dhe paisje të ndryshme për shëndetësi.


Lexo të tjera