09:36 / E mërkurë, 09 Gusht 2017

​“Po përballemi me epideminë e depresionit - shkaktar telefonat e mençur”

​“Po përballemi me epideminë e depresionit - shkaktar telefonat e mençur”

Të rinjtë e sotëm janë më pak të varur se sa gjeneratat e kaluara dhe kjo përputhet me popullarizimin e telefonave të mençur që nga viti 2012.

Në vend se të shoqërohen me moshatarët e tyre dhe të kërkojnë çdo rast që të largohen nga syri i prindërve të tyre, ata tash më tepër pëlqejnë të qëndrojnë në shtëpi dhe në rrjetet sociale, dhe për këtë arsye janë gjithnjë e më pak më të lumtur.

Sipas statistikave të psikologes amerikane Jean M. Twenge, nxënësit e sotëm të klasave të nënta dhe vitit të parë të shkollës së mesme kalojnë shumë më pak kohë jashtë shtëpisë, se sa fëmijët në vitin 2009.

Vetëm 56 për qind e nxënësve që kanë përfunduar shkollat e mesme, kanë pasur të dashur në vitin 2015 krahasuar me 89 për qind në mesin e gjeneratave të mëhershme. Numri i të rinjve, të cilët çdo ditë kalojnë kohën me miq ka rënë për 40 për qind ndërmjet viteve 2000-2015, transmeton KosovaPress.

Pasojat e këtyre trendëve janë katastrofale, pasi që izolimi shtyn të rinjtë drejt depresionit dhe shkalla e vetëvrasjeve është shumë e lartë, vlerëson Twenge. Sipas saj, jemi në prag të “krizës më të keqe të shëndetit mental në disa nga dekadat e fundit”.

Ajo thotë se të gjitha faktet çojnë në një drejtim- telefonat mobil. Studimet kanë treguar se kalimi i kohës në rrjetet shoqërore dhe para ekranit janë në korrelacion të fuqishëm me depresionin dhe rrezikun nga vetëvrasja.

Pasojat, sipas Twenge, do të jenë afatgjate, pasi që depresioni nga faza e adoleshencës shumë lehtë bartet në periudhën e moshës së rritur, ndërsa shkathtësitë shoqërore gjatë kalimit të viteve zhvillohen gjithnjë e më vështirë.  Për të dalë nga kjo gjendje, Twenge thotë se duhet shkurtuar kohën e kaluar para ekranit në dy orë në ditë. Ajo porosit prindërit që të insistojnë në vendosjen e limiteve kur bëhet fjalë për kalimin e kohës në internet, pasi në këtë mënyrë do t’iu ndihmojnë në masë të madhe fëmijëve të tyre.


Lexo të tjera