15:45 / E Martë, 11 Shtator 2018 / indeksADMonline

Shkëmbimi i Territoreve – duhet Shqipëria të pyetet

Thaçi që më 24 korrik hodhi idenë e rregullimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë dhe kjo nuk do të thotë ndryshim i kufijve politikë për të cilën një pjesë e mirë e parlamentarëve kosovarë e kanë kundërshtuar, veçanërisht Kryeministri i Kosovës Haradinaj.

Problemi i rregullimit të kufijve është një problem me të cilin janë ndeshur shumë shtete europiane perëndimore por edhe shumë shtete të tjera në të gjithë botën, si: Franca, Gjermania, Belgjika, Holanda, Çekia, Jugosllavia me Italinë etj.

Kjo ide ka rëndësi sidomos në kohën e sotme në të cilën shtetet nuk duhet të jenë më homogjene, pra nuk duhet të jenë vetëm popullsi homogjene pra vetëm të një etnie, por në këto kohë moderne të globalizmit sidomos në Ballkan është e nevojshme që në popullatën e shteteve përkatëse duhet të jenë, të bashkëpunojnë të bashkëjetojnë në harmoni së bashku edhe komunitete të tjera, minoritete, bashkësi, të cilave u duhen krijuar të gjitha lehtësirat, bazuar në ligjin për të drejtat dhe liritë e njeriut, dhe të drejtat e pronës dhe të Religjionit.

Këtë shtet multietnik ka dhe Kosova në të cilën shqiptarët e Kosovës përbëjnë shumicën dërrmuese të saj dhe minoritetet bashkësitë, komunitetet që bëjnë pjesë në të gëzojnë të drejta të barabarta duke e bërë Kosovën një shtet që meriton respekt.

Çlirimi i saj nga NATO dhe UÇK, dha mundësi që popullsia e Kosovës të çlirohet nga sundimi 99-vjeçar serb dhe të jetojë e lirë me perspektivën e ndritur për t’u integruar në familjen e madhe të BE.

Pavarësisht krijimit të shtetit të Kosovës, njohjes së saj nga mbi 100 vende, problem i Kosovës nuk mund të jetë problem personal apo dhe klientelist i disa pushtetarëve të Kosovës. Ideja e Thaçit e shprehur më dt.24.07.2018, mund të jetë ide e suksesshme nëse ajo përkrahet edhe nga SHBA dhe BE dhe kjo ide ka të bëjë me përfshirjen brenda Kufirit të Republikës së Kosovës të disa krahinave me shqiptarë etnikë si komunat shqiptare të Serbisë të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit, dhe në vend të saj të jepen komunat Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok

Përplasja brenda shtetit të Kosovës midis Kryeministrit dhe Presidentit të Kosovës ka shkaktuar një konfuzion brenda Kosovës gjë që e cila ka shkaktuar edhe në Parlamentin e Kosovës përplasje jo vetëm nga mos kuptimi se çdo të thotë rregullim i kufijve nga ndryshimi i kufijve, por edhe sepse në një farë mënyre një pjesë e mirë e politikanëve të Kosovës me sa duket kanë harruar Historinë e popullatës shqiptare dhe të trojeve shqiptare.

Dështimi sot i takimit midis Thaçit dhe Vuçiçit, pas takimit personal veç e veç të tyre me Mogherinin, tregon edhe njëherë se Kosova gjendet në një qorrsokak për sa i përket bashkëpunimit midis vetë tri pushteteve të Kosovës por edhe për informacionin transparent popullatës së Kosovës.

Sigurisht Pushtetet e Kosovës krahas bashkëpunimit të ngushtë me përfaqësuesit e BE dhe të SHBA, nuk duhet të harrojnë rrënjën, degë e së cilës është ajo-Shqipërinë.

Përse Kosova duhet të konsultohet me shtetin shqiptar? Ka shumë arsye. Krahas dëshirës së mirë për të bashkëpunuar me vëllezërit shqiptarë, krahas historisë së njëjtë me Shqipërinë, krahas heronjve të përbashkët, krahas flamurit të Gjergj Kastrioti –Skënderbeut të cilën e kanë përqafuar dhe puthur mijëra shqiptarë të Kosovës dhe përfaqësuesit e tyre në ditët e Pavarësisë së Shqipërisë me në krye Ismail Bej Vlorën, krahas vendosjes së bustit të Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti –Skënderbeu në Kryeqytetin e Prishtinës, po vërehen shenjat e dëshirës për të veçuar dhe të vazhduar ndarjen 99-vjeçare të Kosovës me Shqipërinë, ndarje e cila u shkaktua nga fuqitë e mëdha mç 1913, si pasojç e Kongresit të Berlinit më 1878.

Dy nga efektet më negative të kësaj dëshire të fshehur për të ndarë degën e frytshme e të pasur kosovare nga rrënja-nënë Shqipëria janë:

Idetë e identitetit kosovar, shprehur nga Nexhmedin Spahiu nëpërmjet librit të tij për “kombin kosovar” dhe për simbolet e tij “kosovare”, ide të shprehura dhe në librin e Mehmet Krajës, të cilat në fund të fundit tregojnë se largimi nga trungu i trojeve shqiptare ka dhënë efektet e saj të cilat kërkojnë kohë për t’u shmangur.

Në një farë mënyre shprehja identitet Kosovar ka një farë reminishence të shqipfolësve të ardhur nga Anadolli, por që sot janë qytetarë të lirë të Kosovës.

Idetë se, secili udhëheqës të shohë punën e tij në shtetin përkatës të hedhur nga Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj në një moment debati me Kryeministrin e Shqipërisë, japin idenë se jo të gjithë shqiptarët që jetojnë në troje kërkojnë një shtet të përbashkët apo një integrim të përbashkët në BE.

Sigurisht këtyre dy grupimeve drejtuese në Kosovë, njëra ideatore, dhe tjetra ekzekutore, duhet t’i kujtojmë historinë e formimit të shtetit shqiptar të cunguar nga vendimet e 1913 për t’u treguar se janë ata që morën pjesë aktivisht në formimin e shtetit shqiptar, në vendosjen e Tiranës si Kryeqytet i Shqipërisë, dhe në një të kaluar më të largët ishin gjyshërit e tyre që realizuan Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Këta personalitete kosovare të cilët dhanë jetën për krijimin e shtetit shqiptar të cunguar, janë si më poshtë.

Nënshkruesit e deklaratës kanë qenë 78 delegatë dhe nga shqiptarët e Kosovës dhe shqiptarët e Maqedonisë ishin 11 personalitete të Kosovës dhe 6 personalitete të shqiptarëve të Maqedonisë:

Nga Kosova, Gjakova, Plava-Gucia: Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani, Salih Gjuka, Mit’hat Bej Frashëri, Mehmet Pashë Deralla, Isa Boletini, Riza Bej Gjakova, Hajdin Bej Draga, Dervish Bej Ipeku, Zenel Bej Begolli, Qerim Begolli.

Nga Ohri dhe Struga: Zyhdi Bej Ohri, Dr. H. Myrtezai, Nuri Sojlliu, Hamdi Bej Ohri, Mustafa Baruti, Dervish Hima (https://cms.koha.net/?id=27&l=86411).

Më të shquarit që morën pjesë edhe në Kongresin e Lushnjës në të cilën u caktua Kryeqytet Tirana

Rexhep Mitrovica (1888-1960), Firmëtar i Aktit të Pavarësisë. Veprimtar i lëvizjes kombëtare, intelektual, deputet, ministër, kryeministër. Mori pjesë si delegat i Pejës në Kuvendin Kombëtar të Vlorës dhe ishte njëri nga nënshkruesit e deklaratës së Pavarësisë. Një nga themeluesit e Partisë Kombëtare (1914), anëtar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Zgjidhet senator i Kosovës në Këshillin Kombëtar të Lushnjës.

Dr. Myrteza Ali Struga (Dibra) (1876-1937), Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, mjek, patriot. Në nëntor të vitit 1912, Dr. Myrteza Ali Struga, së bashku me Zyhdi Ohrin dhe Nuri Sojliun u zgjodhën delegatë të Ohrit e Strugës për në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Aktin e Pavarësisë me siglën “Dr. H. Myrteza Aliu”. Përsëri si përfaqësues i Ohrit e Strugës ishte delegat në Kongresin e Lushnjës më 1920.

Zyhdi Ohri (1872-1938), Firmëtar i Aktit të Pavarësisë, atdhetar, senator. Në vitet 1898-1900 u përfshi në veprimtarinë e Lidhjes Shqiptare të Pejës. Në nëntor 1912, i zgjedhur nga Ohri si delegat, mori pjesë në Kuvendin e Vlorës dhe firmosi Aktin e Pavarësisë me siglën “Zuhdi Ohri”. Ishte pjesë e Senatit të dalë nga qeveria e Ismail Qemalit. Në janar 1920 mori pjesë në Kongresin e Lushnjës.

Hoxhe Kadri Prishtina, 1878-1925, Deputet, nënkryetar i Këshillit Kombëtar, ministër. Veprimtar i Lëvizjes Kombëtare, jurist. Themelues dhe kryetar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, 1918. Një ndër organizatorët e Kongresit të Lushnjës. Në vitin 1921 ishte deputet dhe nënkryetar i Këshillit Kombëtar. Në Kongresin e Lushnjës (27-31 janar 1920), ku iu vunë themelet e Shqipërisë, ministër i Drejtësisë u zgjodh Hoxha Kadri Prishtina. Vdiq në moshën 47-vjeçare.

Bajram Curri (1862-1925), Heroi i Popullit, udhëheqës i Lëvizjes Kombëtare dhe një nga drejtuesit politik e ushtarak të kryengritjeve popullore kundërosmane dhe të luftës për çlirimin dhe bashkimin kombëtar të vendit. Organizator i Lidhjes Shqiptare të Pejës. Zgjidhet anëtar i Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës (1918). Në Kongresin e Lushnjës u zgjodh senator i Këshillit Kombëtar dhe u caktua ministër pa Portofol në qeverinë e dalë prej saj. Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura në qeverinë e Hasan Prishtinës (1921). Përkrahu Revolucionin Demokratik të Qershorit 1924 dhe vazhdoi qëndresën kundër regjimit të Zogut derisa u rrethua dhe u vra në një shpelle të Dragobisë.

Hasan Prishtina ( 1873-1933), Arkitekt i Pavarësisë së Shqipërisë. Ideolog, vizionar, udhëheqës i kryengritjes së përgjithshme për pavarësinë e tokave shqiptare. Tre herë deputet në Parlamentin Osman, ku luftoi për të drejtat e shqiptarëve, për njohjen zyrtare të kufijve të Shqipërisë, për hapjen e shkollave shqipe, për administratën shqiptare në Vilajetet shqiptare etj. Hasan Prishtina u emërua ministër i Punëve të Brendshme në qeverinë e Vlorës dhe kryeministër në qeverinë e vitin 1921. Ishte një nga organizatorët e Kongresit të Lushnjës dhe deputet i Dibrës në Parlamentin Shqiptar në vitin 1921. Përpjekjet e tij për shkollën shqipe përbënin një krah të luftës së përgjithshme për lirinë kombëtare shqiptare. Hasan Prishtina, ndër udhëheqësit kryesorë të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Në vitet 1922-1923 shfaqet si një nga figurat e opozitës në Shqipëri, duke marrë pjesë në përgatitjen e Revolucionit të Qershorit (1924). Vdiq gjatë një atentati të organizuar kundra tij në Selanik (1933). Gjithë pasurinë e tij e dha për çështjen kombëtare shqiptare.
Isa Boletini ( 1864-1916), Luftëtar dhe udhëheqës ushtarak popullor, organizator e drejtues i lëvizjes për çlirimin kombëtar. Hero i Popullit. Luftëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe një nga përkrahësit e themelimit të Lidhjes Shqiptare të Pejës dhe në qëndresën e saj kundër sunduesve osmanë. Udhëheqës dhe organizator i kryengritjeve të mëdha popullore kundërosmane të viteve 1909-1912. Në ditët e shpalljes së pavarësisë, ai u ndodh përkrah Ismail Qemalit në Vlorë dhe mori pjesë aktive në organizimin e forcave të armatosura për mbrojtjen e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. Anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Londrës, kundërshtoi me forcë vendimet e Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë. Më 23 janar 1916 u vra pabesisht nga shovinistët malazezë në Podgoricë.

Dedë Gjo Luli ( 1840-1915), Dedë Gjo’ Luli duket se kishte lind me pushkë. Prijës dhe luftëtar i Lëvizjes Kombëtare për çlirimin kombëtar dhe për ruajtjen e tërësisë territoriale të atdheut. Hero i Popullit. Mori pjesë në qëndresën e organizuar nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit për mbrojtjen e Hotit dhe të Grudës. Aftësitë e tij organizatore u shfaqën gjatë Kryengritjes kundërosmane në vitin 1911. Në bashkëpunim me qarqet patriotike, ai parashtroi në Memorandumin e Grecës kërkesën për autonominë territoriale-administrative të mbarë Shqipërisë. Dedë Gjo Luli i qëndroi besnik deri në fund luftës për krijimin e shtetit kombëtar shqiptar. Edhe pas Shpalljes së Pavarësisë, megjithëse në moshë të thyer, iu desh të vazhdonte luftën për mbrojtjen e vendit dhe bashkimin kombëtar. Vritet në shtator 1915 në Sheshëz afër Oroshit, nga një pritë e bërë nga malazezët e serbët (https://www.shqiperia.com/Kush-jane-burrat-qe-firmosen-Deklaraten-e-Pavaresise.19209/).

Nuk duhen harruar, revoltat që serbët i quajtën irredentiste, dhe as fjalimin e çuditshëm të Sllobodan Millosheviçit në 1987 në Kosovë në të cilën tha: `Nga tani dhe në vazhdim, askush nuk ka të drejtë t`ju rrahë ju` . Në një parabolë mund të krahasojmë këtë fjalim të Millosheviçit me atë të Vuçiçit: “N.q.s. ne nuk mund ta zgjidhim këtë (problemin e Kosovës), e kush mund ta zgjidhë?“ (balkaninsight.com).

Mund të përmend se edhe vetë serbët kanë dashur në fillim që problemin e Kosovës ta zgjidhnin nëpërmjet palës shqiptarë, gjë që nuk është pranuar nga qeveria shqiptare, e cila ka respektuar shtetin e Kosovës të krijuar me ndihmën e NATO-s.

Sidoqoftë ku mund të gjejnë qeveritarët dhe shteti i Kosovës, këshillues më të mirë se shtetin amë shqiptar, i cili ka jo vetëm detyrimin moral për të dhënë ndihmesën e tij por edhe atë historik?

Shpresojmë që edhe Thaçi edhe Haradinaj, le të kthejnë kokën nga Nëna Shqipëri, dhe do të gjejnë ashtu si kanë gjetur gjithmonë ndihmë në kohë të vështira, – këshillën e duhur.

Shkruar nga Pirro Prifti