10:51 / E Mërkurë, 13 Qershor 2018 / indeksADMonline

Shok-bombë ndaj gjyqtarit të EULEX-it në Prishtinë

Mbrëmë rreth orës 23:00, në Prishtinë në rrugën “Bajram Curri”, një shok-bombë është hedhur në drejtim të një gjyqtari të EULEX-it, nga një person i panjohur.

Burime të Kallxo.com nga Policia e Kosovës kanë konfirmuar incidentin i cili ndodhi te vendi i quajtur “Moving Tower”.

Policia tha se rreth orës 23:02 ka pranuar informatën për një shpërthim në rrugën “Bajram Curri”, ndërsa njësitet policore dhe hetimet kanë shkuar në vendin e ngjarjes.

Sipas burimeve policore, nga hetimet e para është konstatuar se derisa gjyqtari i EULEX-it ka qenë duke kaluar, një person i panjohur kishte gjuajtur një shok-bombë në drejtim të tij.

Mjeti kishte shpërthyer por pa shkaktuar dëme materiale apo lëndime në njerëz.

“Në vendin e ngjarjes janë gjetur dy fishekë të pashkrepur, siguresa e bombës, luga e bombës dhe shok-bomba e shpërthyer. Personi i dyshuar ka ikur në drejtim të panjohur. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar, i cili ka udhëzuar që rasti të iniciohet si Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës. Rasti është iniciuar dhe mbetet në hetime”, thuhet në një raport policor.