10:13 / E Premte, 14 Shtator 2018 / indeksADMonline

Shpend Ahmeti analizon votimin e djeshëm në PE, ka një kërkesë për Qeverinë e Kosovës

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti i ka bërë një analizë votimit të djeshëm të Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për kosovarët.

Sipas Ahmetit, Qeveria e Kosovës duhet që urgjentisht të kontaktojnë qeveritë aleate dhe qeveritë e shteteve që na kanë njohur e që kanë votuar kundër për të kërkuar votën dhe sqarime.

Ky është statusi i plotë i postuar në llogarinë e Ahmetit në Facebook:

Një analizë e votimit të djeshëm të Parlamentin evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën tregon se konsensusi në Këshillin e Ministrave të BE-së do të jetë shumë i vështirë për t’u arritur.

1. Shumica e deputetëve të Spanjës, Greqisë dhe Qipros të cilat që nuk e njohin Kosovën si shtet, edhe shumica e deputetëve të Francës dhe Holandës kanë votuar kundër.
2. Deputetët e partive të djathta (ekstreme) të cilat udhëheqin me qeveritë e Italisë, Belgjikës, Austrisë dhe Danimarkës kanë votuar kundër.
3.Duke e marrë parasysh kontekstin e zgjedhjeve evropiane të majit 2019 dhe faktin se kemi telashe me 6 nga 10 shtetet më të mëdha të BE-së, tendenca mund të jetë që vendimi të shtyhet deri pas zgjedhjeve evropiane, kur BE do të jetë edhe më e ndarë dhe më e djathtë.

Qeveria e Republikës së Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Integrimeve Evropiane duhet që urgjentisht të kontaktojnë qeveritë aleate dhe qeveritë e shteteve që na kanë njohur e që kanë votuar kundër për të kërkuar votën dhe sqarime.

Partitë në Kosovë duhet të kontaktojnë urgjentisht partitë simotra në Rrjetet e tyre për të kërkuar mbështetje. Me Socialdemokratët evropianë nuk do të jetë fare problem por ne do t’i kontaktojmë për çdo rast.