15:09 / E Mërkurë, 27 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Shpërthen Gani Dreshaj: Boll më i dhatë mbështetje krimit!

Gani Dreshaj nuk e ka në plan të ndalet për garën e Istogut, pavarësisht asaj se është shumë i zhgënjyer me vendimet e ankesave të tij. Dreshaj përmend shumë arsye se në Istog me 17 dhjetor kishte keqpërdorime e manipulime në rivotim.

Por, ai do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të marrë me kërkesë që të zbatohet neni 45 i Kushtetutësë së Kosovës që iu mundëson votuesve që kanë arritur moshën 18 vjeçare që të votojnë, vota të cilat KQZ nuk i ka numëruar.

“Të dashur qytetarë të Istogut, sot Gjykata Supreme e refuzoi vendimin e radhës ku qartazi kishin ankimuar shkeljet që na janë bërë gjatë dhe pas procesit zgjedhor në rivotimin e 17 dhjetorit.

KQZ, PZAP dhe Gjykata Supreme po verbërohen nga faktet tona, nga shkeljet e tyre, nga gabimet trashanike që i kanë bërë dhe po i bëjnë.

Fatkeqësisht, më duhet të them se e kam kuptuar se drejtësia nuk po funksionon sepse këto institucione po e shkelin demokracinë, ligjin, duke i dhënë krah fitores manipuluese të Haki Rugovës.

Ku janë blerësit e votave, ku janë vjedhësit e votave, kush është përgjegjës në KQZ për mashtrimet në rezultate, kush është institucion që duhet të arrestoi Qaush Shpatollin dhe të gjithë përgjegjësit e krimit të organizuar në atë ditë të kobshme për demokracinë në Istog.

Unë nuk do të ndalem, jo për fitoren time, por për 10 mijë votuesit e mijë që votuan me dinjitet e nder.

Ne tani do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese me kërkesë që të japim vendimin e saj në mbrojtje të Kushtetutës dhe të drejtave të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës e thotë qartë:

Neni 45 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes]

1. Çdo shtetas i Republikës së Kosovës që ka arritur moshën tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, gëzon të drejtën të zgjedhë dhe të zgjedhet, me përjashtim kur kjo e drejtë i kufizohet me vendim gjyqësor.

Andaj, besoj thellësisht se ky organ i fuqishëm i drejtësisë më në fund do të thotë fjalën e vetë në numërimin e votave të votuesve të rinjë të cilët kanë plotësuar moshën për të votuar, kjo është e drejtë kushtetuese e secilit qytetar të Republikës, por vota e tyre është eliminuar nga KQZ dhe është vërtetuar nga PZAP dhe Gjykata.

Ju lus për qetësi e maturi edhe këto ditë pritjeje sepse ne po luftojmë me fakte procesin e manipuluar e kriminal që Haki Rugova dhe banditët e tij e zgjodhën si shpëtim të vetmin në rovitimin në Istog” shkruan Gani Dreshaj./Indeksonline/