21:41 / E Shtunë, 28 Prill 2018 / indeksADMonline

Shqetësuese: Katër vetëvrasje për tre muaj

Vdekja e një polici dhe një doktoreshe në Gjilan, e së fundmi edhe rasti i vdekjes së aktorit të serialit komik ‘O Sa Mirë’ Art Kurti, janë shënuar si akte të vetëvrasjes nga Policia e Kosovës.

Gjatë tre muajve të këtij viti në Policinë e Kosovës janë shënuar katër vetëvrasje, por ka edhe raste të tjera të cilat janë iniciuar si vdekje e dyshimtë, e ndonjë nga to pas përfundimit të hetimit dhe procedurave mjeko- ligjore mund të hyjnë në kategorinë e vetëvrasjeve.

Policia e Kosovës i ka thënë Kallxo.com se kësaj çështjeje i qasen ne aspektin e hetimit te aktit si akt.

“Policia i heton këto raste kur dyshohet se personi është shtyrë të bëjë një veprim të tillë, pra kur kemi të bëjmë me  veprën penale ‘shtyrja në vetëvrasje’  dhe kur ka të dhëna se është konsumuar  ‘ndihma në vetëvrasje’”, thuhet në përgjigjen e policis.

Sipas PK-së, statistikat e vetëvrasjeve në 15 vepra penale vitet e fundit flasin për luhatje te shifrave, ndërsa në vitet tjera deri në vitin 2014 ka pasur një rënie të rasteve të shënuara si vetëvrasje.

Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, në vitin 2015 janë evidentuar 60 vetëvrasje dhe 219 tentim- vetëvrasjeje, në vitin 2016 janë evidentuar 37 vetëvrasje dhe 229 tentim- vetëvrasjeje dhe në vitin 2017 janë evidentuar 32 vetëvrasje dhe 216 tentim- vetëvrasjeje.

“Sa i përket gjinisë dhe moshës së viktimave të rasteve të vetëvrasjeve, nuk mund të themi se është një moshë e caktuar që dominon, edhe pse raste pak më të shpeshta janë ato me viktima të moshave nga 18 deri 40 vjeçare”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Personat e gjinisë mashkullore, sipas policisë, prijnë në kryerjen e aktit të vetëvrasjes.

Policia e Kosovës apelon që për persona të cilët dyshohen se kanë probleme të caktuara, ose gjenden në depresion të lajmërohen në institucione përkatëse përfshirë edhe vetë policinë.