16:55 / E Mërkurë, 14 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Shqetësuese, për katër muaj, rreth 39 mijë kosovarë u prekën nga gripi

Që nga tetori i vitit që lamë pas e deri më 11 shkurt të këtij viti, numri i qytetarëve që janë prekur nga gripi sezonal po del të jetë shqetësues. Për 3 muaj e gjysmë mbi 38 mijë kosovarë janë prekur me grip. Prej tyre afro 4 mijë raste me Infeksion Respirator Akut si dhe 74 raste me sëmundje të rënda respiratorë. Kështu ka njoftuar Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike gjatë mbikëqyrjes permanente të sëmundjeve.

“Nga 01 tetori (java e 40 –të) deri më 11 shkurt 2018 në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë raportuar gjithsej 38.506 raste të dyshimta në grip, 3.932 raste me Infeksion Respirator Akut dhe 74 raste Sëmundje e Rënde Respiratore Akute. Rastet raportohen nga të gjitha komunat e Kosovës me përjashtim të komunave me popullatë serbe”, thuhet në njoftimin e IKShP-së.

Sipas këtij instucioni shëndetësor komunat më të prekura janë ajo e Prishtinës, Prizrenit dhe Podujevës.

Ndërkohë që nga 5 shkurti e deri më 11 shkurt të këtij viti me grip janë raportuar 7123 raste të dyshimta të gripit, 333 raste me Infeksion Respirator Akut dhe 6 raste të rënda Sëmundje e Rëndë Respiratore Akute.

“Në laboratorin e Qendrës kombëtare të gripit-IKSHPK deri më 14 shkurt 2018 janë testuar gjithsej 403 mostra për tipizim dhe subtipizim në grip. Prej tyre 202 ose 52 % kanë rezultuar pozitive në Influencë. Sipas tipit të Influencës, 84mostra janë pozitive në Influencën A dhe 118 në Influencën B”, thuhet tutje në njoftim. /Indeksonline/

 

Temat: