16:23 / E Mërkurë, 29 Gusht 2018 / indeksADMonline

Shqipëria ka rreth 8 mijë përdorues të rregullt të drogës

Në Shqipëri mendohet se 7 deri në 8 mijë persona janë përdorues të rregullt droge. Por, megjithëse një numër relativisht i lartë, kësaj kategorie u ofrohen shumë pak shërbime nga shteti.

Si të mos mjaftonte kjo, edhe disa qendra me donacione të huaja janë mbyllur, ndërsa të tjerat që funksionojnë nuk mund tu përgjigjen të gjitha kërkesave.

Pak ditë më parë, revista prestigjioze “The Economist” e rankoi Shqipërinë si vendin e parë në botë për konsumin e kokainës në raport me popullsinë. Raporti shkruan se 2.4% e popullsisë janë përdorues kokaine. Organizmat që punojnë kundër përdorimit të lëndëve narkotike thonë se ka një rritje të përdoruesve.

Genci Muçollari, i shoqatës “Aksion Plus”, thotë se “Nga kontaktet që kemi me mjekët e toksikologjisë, na thonë se janë rritur rastet që paraqiten me përdorim kokaine”.

Gjithashtu, raportohet se është rritur edhe numri i vdekjeve nga overdoza.

“Deri dje nuk kishte të dhëna për overdozat, mendohet se ishin 4-5 në vit, ndërsa aktualisht numri ka shkuar nga 10-12 në vit”, thotë Muçollari.

Por, në Shqipëri mungon edhe medikanemti Naloxone, që mund të shpëtojë jetën e një përdoruesi droge që kalon në overdozë.

“Mungon totalisht, edhe kur një person shkon në urgjencë me overdozë, ky preparat nuk i jepet. Mund të marrë një ndihmë tjetër, por praktikisht ai është i vdekur”, thotë ai.

Tirana, Fieri, Vlora, Berati dhe Shkodra janë qytetet kryesore ku janë evidentuar përdoruesit e rregullt të drogës. /TCH/

Temat: