07:42 / E Shtunë, 18 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Shqiptari që shpëtoi foshnjën që ra mbi shina, kandidat për çmimin e guximit

Të premten e 17 nëntorit 2017 u zhvillua në Zvicër, aktiviteti tradicional i ndarjes së çmimit për guxim qytetar që e ndan revista “Beobachter”. Çmimi “Beobachter Prix Courage” 2017 i është dhënë 31 vjeçarit nga Dübendorfi i Zyrihut, Remo Schmid., shkruan sda.ch dhe të gjitha mediet elektronike zvicerane. Ai ka shpëtuar një grua nga përdhunimi, duke vënë në rrezik jetën e vet.

Presidentja e jurisë, politikanja Pascale Bruderer në laudation e saj ka thënë se guximi qytetar në Zvicër po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm.

Çmimi i ndarë sonte ka edhe vlerën monetare, prej 15 mijë frangash.

Ndërsa çmimin “Lifetime Award” (çmimi jetësor), me 10 mijë franga, e ka fituar prifti humanist, Ernst Sieber, transmeton albinfo.ch. Prifti i njohur tashmë 90 vjeçar gjatë gjithë jetës së tij është angazhuar për njerëzit në nevojë, njerëzit pa kulm mbi kokë, të varurit nga droga etj.

Në rrethin e ngushtë për të fituar çmimin kryesor ka qenë edhe shqiptari nga Shkupi, Senat Iseni, shkruan albinfo.ch Ai, më 5 tetor, krahas shqiptarit tjetër, Fatmir Bardh Haziri, kishte shpëtuar një foshnjë duke e nxjerrë atë nga shinat e binarëve, në momentin e fundit para se të vinte treni. Për Isenin kjo ishte hera e tretë që po shpëtonte jetë njerëzish.