21:21 / E Mërkurë, 11 Korrik 2018 / indeksADMonline

Shqiptarja me karrierë të suksesshme politike në Finlandë

Kur ishte vetëm shtatëvjeçare Fatbardhe Hetemaj së bashku me familjen e saj kanë braktisur Kosovës, përkatësisht vendlindjen e tyre Skenderajn për të migruar në Finlandë. Ajo arriti të integrohet në jetën e atjeshme, madje të jetë edhe kandidate potenciale për të qenë deputete.

Fatbardha e cila jeton dhe vepron në shtetin skandinav ka ardhur në Kosovë për pushime, me ç’rast në Ambasadën e Finlandës në Prishtinë ka zhvilluar një bashkëbisedim me të rinjtë kosovarë ku ka treguar për historinë e saj.

Megjithëse për fare pak vota, nuk kishte arritur të bëhej deputete e Parlamentit të Finlandës, ajo kishte arritur të jetë për katër vite asambleiste e qytetit të Helsinkit. Ajo ka treguar se si shumë parti politike ishin interesuar për ta pasur atë në partinë e tyre, por që ajo me shumë kujdes kishte bërë zgjedhjen e saj.

Edhe tash thotë se është shumë e lidhur me ndjekjen e politikës, pasi që lexon shumë për të, sepse sipas saj politika është mënyra më e mirë për të prekur çdo problem shoqëror ose për të përmirësuar demokracinë.

Ajo ka përfunduar master për menaxhment dhe strategji në kuadër të programit Hanken, si dhe është trajnere e certifikuar në IFC, dhe është e përkushtuar në asistimin dhe trajnimin e individëve dhe organizatave në arritjen e tërësishme të potencialit të tyre, ndërsa ka studiuar në Mbretërinë e Bashkuar dhe Suedi.

“Një nga problemet më të mëdha për të mësuar diçka, është nëse jeni shumë perfeksionist dhe nëse keni shumë frikë nga rezultati përfundimtar. Kjo pengon mësimin tuaj, kështu që unë vetëm tani, pas shumë leximeve e kam kuptuar se nëse unë vërtetë dua të mësoj diçka, nuk duhet të mendoj nëse do ta mësoj atë apo jo, por të filloj të kuptoj që unë e  di atë që po studioj dhe lexoj dhe vetëm të shtoj njohuritë e mia”, tregoi ajo.

Fatbardha që është e bija e dy juristëve, thotë se prindërit e saj e kanë inkurajuar që të merret edhe me sport dhe hobe të tjera, por që i kanë thënë se gjëja më e rëndësishme është edukimi.

Për të gjithë ata që kishin ardhur të dëgjojnë rrëfimin e saj, ajo tregoi se arsyeja se pse kishte vendosur të studiojë menaxhimin e biznesit, është se ka shumë gjëra që mund të bëjë me këtë arsimim.

Shtetasja finlandeze me origjinë kosovare, ka treguar përvojën e saj të studimeve në Angli, ku thotë se me të vërtet e ka zgjeruar horizontin e saj.

Ndonëse ka arritur shumë në karrierën e saj, ajo asnjëherë nuk e ka harruar vendlindjen e saj, madje e ka përkujtuar edhe kohën kur kishte shkuar në Finlandë.

“Unë bashkë me familjen time u zhvendosëm në vitin 1992 nga Skenderaj, Drenica për në Finlandë dhe në fillim isha e shokuar, ku kam ardhur?, është ftohët, me borë, nuk e flas gjuhën dhe me të vërtetë më mungon shtëpia ime, dhe Finlanda nuk ishte ashtu siç me kishin thënë. Por, pas disa ditësh të princeshës duke qarë dhe me dramë, u çlodha dhe shpejt gjeta shokë të rinj, fillova të mësoja gjuhën dhe në të vërtetë, në një kohë shumë të shkurtër, isha në gjendje të përkthej edhe nëse nuk kuptoja fjalë të tjera, e kapja kuptimin dhe përktheja për nënën time ose miqtë e mi që nuk kishin një përkthyes në atë kohë. Dhe gjëja më e mirë ishte se edhe pse ne e donim, ishte një kënaqësi e madhe  kur  u kthyem në Helsinki, ne qëndruam vetëm dy javë aty kur erdhëm në Finlandë,  dhe aty ishte sikur bota u zgjerua, më shumë njerëz, më shumë mundësi, më pak të ftohtë dhe gjithashtu moti iu përshtat babait tim, sepse ai ishte shumë i sëmurë dhe kishte astmë, kështu që, ajo ishte një gjë e mirë”, tregoi ajo.

Hetemaj, në vitin në 2009 është zgjedhur femra refugjate e vitit në Finlandë, çmim për të cilin thotë se i ka dhënë një kënaqësi të madhe