22:40 / E Shtunë, 18 Gusht 2018

Shtatori, muaji vendimtar për dialogun (Video)

Në shtator pritet të vazhdojë faza finale e dialogut Kosovë-Serbi e ndërmjetësuar nga Brukseli ndërsa pala kosovare vazhdon të mbetet e ndarë rreth përfaqësimit në bisedime. Analistët i bëjnë thirrje opozitës që të jetë pjesë e dialogut dhe jo të kritikojë nga distanca marrëveshjet e arritura.

Shtatori është paralajmëruar të jetë muaji kur dialogu mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel do të intensifikohet dhe për pak muaj po synohet që të arrihet një marrëveshje e qëndrueshme mes dy shtetesh e cila do ta mundësonte njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në OKB.

Derisa në opinion diskutohen opsionet e ndryshme si ndarja e shkëmbimi i territoreve analistë në Kosovë e shohin si të domosdoshme pjesëmarrjen e opozitës në këtë proces të cilin ata e quajnë kritik.

Naim Rashiti konsideron se Kuvendi duhet të jetë ai i cili e mandaton ekipin negociator pasi marrëveshjet e mundshme të arritura do të duhej të miratoheshin pikërisht nga Kuvendi.

Ndërsa Imer Mushkolaj thotë se në asnjë mënyrë opozita nuk duhet të qëndrojë jashtë dialogut dhe të kritikojë e të paralajmërojë rreziqe për vendin.

Deri më tani spektri politik opozitar ka refuzuar të përfshihet në dialog përkatësisht fazën finale mes Kosovës dhe Serbisë me arsyetimet se janë kundër udhëheqjes së dialogut nga presidenti Hashim Thaçi . Ky i fundit disa herë i ka bërë thirrje opozitës që të jetë pjesë e dialogut.