13:06 / E Diele, 28 Janar 2018 / indeksADMonline

Shtetet që kanë probleme me vija territoriale

SHBA- MEKSIKË

Shtetet e Bashkuara të Amerikës tash e sa vite kanë problem me Meksiken, dhe shkas është vija territoriale.

Muri i dyfishtë ndërkufitar si dhe barrierat e metalta dhe ato prej betoni në afërsi të aeroportit në Tijuana të Meksikës, parë nga ana meksikane, paraqesin pengesë për kalimet ilegale të kufirit, respektivisht për hyrje ilegale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) përmes vijës kufitare të gjatë rreth një mijë kilometra.

SHBA-të dhe vendi fqinj i saj Meksika, ndajnë kufirin të gjatë rreth tre mijë kilometra, ndërsa në pjesën të gjatë 1.100 kilometra gjendet i vendosur një mur i fragmentuar, gardh dhe tel.

Vlera e kësaj barriere në kufirin mes dy vendeve përllogaritet në 2.4 miliardë dollarë, ndërkohë që përmes sensorëve dhe kamerave monitorohet nga Drejtoria për Kontroll të Kufirit.

Barriera fillon në shtetin amerikan Kaliforni dhe shtrihet në lindje përmes shteteve Neë Mexico, Arizona dhe Texas.

Afganistan- Pakistan 

Ky kufi prej kohësh është një prej më të rrezikshmëve në botë dhe një prej vendeve në të cilat mbizotëron anarkia më e madhe.

Kabuli refuzon që ta organizojë vijën kufitare 2.400-kilometërshme si një kufi ndërkombëtar me Pakistanin, por ka pretendime për territoret pashtune në veriperëndim të Pakistanit.

Sipas OKB-së, në Pakistan jetojnë më shumë se 1.7 milionë refugjatë të regjistruar afganë. Incidentet e dhunshme nga të dyja anët janë shpeshtuar që nga okupimi amerikan i Afganistanit, pasi rajoni ndërkufitar është dëshmuar si vendstrehim i grupeve të dhunshme militante, të cilat luftojnë kundër forcave amerikane dhe shtetit pakistanez, ndërsa administrata Obama ka shtuar sulmet me aeroplanë pa pilot mbi forcat e “Al-Qaedas” përgjatë kufirit.

Kamboxhia – Tajlandë

Kamboxhia dhe Tajlanda kanë një kontest të kamotshëm rreth tempullit Preah Vihear, të vendosur përgjatë kufirit.

Pas një përleshjeje të gjatë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendosi më 1962 që tempulli hindus t’i takonte Kamboxhias, mirëpo kontesti rreth territorit përreth tempullit, prej rreth 2.5 kilometrash katrorë, nuk ka reshtur asnjëherë. Tensionet eskaluan herë pas here gjatë viteve të fundit, ndërsa prej vitit 2008 luftimet kufitare paraqesin një dukuri të zakonshme.

Arabia Saudite -Jemeni 

Arabia Saudite në vitin 2003 filloi të ndërtonte një barrierë sigurisë, mirëpo më 2004 u dha fund punimeve.

Pas luftës së shkurtër ndërmjet ushtrisë saudite dhe kryengritësve jemenas më 2009, Riadi investoi me miliarda dollarë në përfundimin e murit të nisur. Luftimet intensive e frikësuan Riadin se Irani do të mund të ishte i gatshëm që të mbështeste houtët, të cilët janë edhe shiitë.

Indi- Pakistan

Marrëdhëniet mes dy vendeve u përkeqësuan në vitin 1971 kur në Pakistan plasi lufta civile dhe Bangladeshi kërkoi pavarësinë nga Pakistani. India pushtoi pjesën lindore të Pakistanit (aty ku tani është Bangladeshi) dhe e detyroi ushtrinë pakistaneze të dorëzohej.

Bangladeshi fitoi pavarësinë dhe dy vendet vendosën t’i përmbaheshin Vijës së Armëpushimit, por ia ndryshuan emrin në Vijë të Kontrollit.

Nga fundi i viteve 80-të, në lëndinën e Kashmirit filloi rezistenca e armatosur kundër sundimit indian. U formuan grupe të armatosura, disa prej të cilëve kërkuan pavarësinë për shtetin e Jammu-s dhe Kashmirit dhe të tjerët bashkim me Pakistanin.

Pakistani u dha mbështetje “morale dhe diplomatike” dhe kërkoi që çështja të zgjidhet me referendum. Por qeveria indiane, si kundërpërgjigje, akuzoi Pakistanin se trajnon dhe furnizon me armë ekstremistët dhe separatistët në Kashmir.

Slloveni- Kroaci

Mosmarrëveshje për vijen kufitare kanë edhe Sllovenia dhe Kroacia.

Gjykata e Arbitrazhit për mosmarrëveshjen kufitare kroate dhe sllovene ka dhënë një vendim në fund të qershorit dhe Kroacia është veçanërisht e shqetësuar për përcaktimin në det.

Gjykata vendosi që tri të katërtat e Gjirit të Piranës, i përkasin Sllovenisë, dhe se Sllovenia nëpërmjet ujërave territoriale kroate fiton qasje në det të hapur përmes një korridori prej dy milje e gjysmë nautike. Gjykata vendosi gjithashtu se kufiri në Istria ndjek lumin Dragon dhe përfundon në mes të kanalit të Sv. Odorika, që do të thotë se Shkodelin, Buzhini dhe Mlini-Shkrile mbesin në Kroaci.

Në Kroaci po ashtu mbetet edhe Sveti Gera, ku ndodhet objekti kontestues ushtarak i ish-Armatës Popullore të Jugosllavisë, e cila u largua në vitin 1991, dhe pastaj u mor nga ushtria sllovene.

Kroacia, ndryshe nga Sllovenia, nuk e pranon vendimin për shkak se me vendim të Kuvendit u tërhoq nga arbitrazhi në vitin 2015, pasi u zbulua se përfaqësuesi slloven në Gjykatën e Arbitrazhit Jernej Sekolec dhe ministria sllovene e Punëve të Jashtme Simona Drenik ranë dakord për paraqitjen e argumenteve sllovene dhe lobimin me gjyqtarët tjerë të arbitrazhit.

Kroacia beson se procesi i arbitrazhit është kompromentuar në mënyrë të pakthyeshme dhe kërkon zgjidhjen dypalëshe të mosmarrëveshjes, ndërsa Sllovenia i kërkon Kroacisë të respektojë vendimin e gjykatës së arbitrazhit.

Mali i Zi – Serbi

Problem kyç për njerëzit që jetojnë në kufirin midis Serbisë dhe Malit të Zi është se nuk ka pika kalimi të përshtatshme për fermerët vendas.

Disa toka bujqësore gjenden përmes vijës së pashënuar dhe banorëve të zonës iu duhet të udhëtojnë distanca të gjata për të kaluar kufirin dhe të arrijnë aty. Shërbimet vendore të autobusëve dhe trenave janë mbyllur, duke qenë se nuk plotësojnë standardet ndërkombëtare, duke bërë që udhëtimet e shkurtra të marrin shumë kohë.

Bosnjë dhe Hercegovinë – Kroaci

Ka pasur një problem nëse ishujt e Mali dhe Veliki Skolj i përkasin Kroacisë apo Bosnjës.

Kroatët janë të shqetësuar se nëse Bosnjës i jepen ishujt dhe ndërton aty një port, autoritetet mund të mos kujdesen për mjedisin, i cili do të dëmtonte industrinë e turizmit vendor.

Të rinjtë në Kroaci kanë veçanërisht pikëpamje të forta ndaj mosmarrëveshjes, dhe besojnë se ishujt janë kroatë. Sipas raportit, kjo çështje ngrihet vetëm gjatë kohës së zgjedhjeve, duke treguar se marrëveshje të tilla kufiri mund të përdoren për qëllime politike.

Kosovë – Serbi

Përcaktimi i kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë çasti kulminant i procesit të dialogut në mes të dyja vendeve, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Vija kufitare tash e sa vite është problem edhe për fqinjët e vendit tonë. Qytetarët e Kosovës janë të shqetësuar sepse nuk mund të udhëtojnë lirisht për në Serbi. Vendorët janë të shqetësuar nga pengesat për lëvizjen e lirë të mallrave, vështirësi në qasjen e pronave të tyre private dhe mungesën e kalimeve të përshtatshme kufitare.

Tensionet politike po dekurajojnë investimet dhe rritjen ekonomike në rajon, duke bërë që një numër i madh personash nga të gjitha kombësitë të largohen nga zona. Bashkëpunimi midis bizneseve shqiptare dhe kosovare është i pamundur, për shkak të kufizimeve nga Serbia.

Kosovë – Mal i Zi

Malazezët po bëjnë progres të ngadalshëm në caktimin e kufirit të tyre me Kosovën, sepse Serbia e shikon këtë si kërcënim të sovranitetit të saj.

Të dyja palët janë të shqetësuara për shkak të trafikimit të duhanit, kafes, lëndëve narkotike dhe naftës. Krijimi i një zone neutrale nga shërbimet e sigurisë rezultuan në ankesa nga vendorët, të cilët e kanë të vështirë të kenë qasje dhe të shfrytëzojnë pronat e tyre.