09:33 / E Premte, 08 Qershor 2018

Shteti paguan gati 1 milionë euro kamatë për paret e pashfrytëzuara

Zyra kombëtare e Auditimit ka konstatuar se që nga viti 2009, borxhi publik ka shënuar rritje. Në 2017-ën borxhi i përgjithshëm publik iu afrua vlerës së rreth 1 miliardë eurove. Përveç kësaj, si rezultat i dështimit të shfrytëzim të mjeteve të zotuara sipas marrëveshjeve shteti po humb rreth 1 milionë euro kamatë për mjetet që ende nuk i ka tërheq. Institucionet nuk kishin koordinim në nismat e projekteve të financuara nga huamarrja. Auditori evidenton se marrëveshjet nuk ishin të njëjta të shkruara në gjuhët zyrtare.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka bërë të ditur se borxhi publik për periudhën 2009 deri 2017 ka arritur në 16.63 për qind të Bruto Produktit Vendor (BPV). Kjo e dhënë është pjesë e raportit të auditimi për menaxhimin e borxheve publike.

“Borxhi publik është përdorur për financimin e deficitit të buxhetit dhe financimin e projekteve investuese të cilat vlerësohen të jenë me interes kombëtar. Borxhi ndërkombëtar dhe i brendshëm, ka një trend të rritjes ku në vitin 2009 borxhi i përgjithshëm ishte 6.12% e GDP, ndërsa në vitin 2017 është rritur në 16.63%”, thuhet në komunikatë.

Janë mbi 295.8 milionë euro mjete të pa shfrytëzuara si rezultat i aftësisë së dobët të organizatave buxhetore për t’i zbatuar projektet.

“Shqetësuese është aftësia e dobët e organizatave zbatuese të projekteve në shfrytëzimin me kohë të këtyre fondeve. Në mungesë të përgatitjeve të duhura për fillimin e ekzekutimit të projekteve, 295,809,378 euro janë mjete të cilat nuk janë tërhequr/shpenzuar sipas marrëveshjeve të arritura me institucionet financiare ndërkombëtare, edhe pse kanë qenë në dispozicion për t’u përdorur”, bën të ditur auditori.

Auditori thotë se si pasojë e mospërputhjes së dinamikës kohore në mes të alokimit të kredive dhe realizimit të projekteve, vlera e paguar e tarifave të zotimit për mjetet e kredive të pa tërhequra nga huamarrësit arrin kuotën prej 890 mijë euro.

Me fjalë të tjera, për mjetet e zotuara sipas marrëveshjes, por dështimi për të mos i shfrytëzuar ato Kosovës i duhet të paguaj 890 mijë euro kamatë.

Në raportin e auditorit evidentohet rreziku që vjen nga dështimi i tërheqjes së fondeve në dispozicion.

“Hyrja në marrëveshje të kredive ndërkombëtare dhe dështimi në tërheqjen e fondeve në dispozicion, është pasojë e planifikimit të dobët dhe mungesës së kapaciteteve qeveritare për t’i shfrytëzuar në mënyrë efektive dhe efikase fondet e huamarrjes. Kjo rritë rrezikun e pagesës së tarifave dhe rritjen e kostove kreditore, si dhe vonesat në realizimin e projekteve të planifikuara për t’u financuar nga huamarrjet”, thuhet në raportin e auditorit.

Auditori i përgjithshëm evidenton realizim të ulët në 6 projekte të parapara për t’u financuar me kredi.

“Është vërejtur se nga 6 projekte kapitale të planifikuara në Ligjin e buxhetit sipas viteve 2014, 2015, 2016 dhe 2017 dhe projeksioneve dy vjeçare të përfshira edhe në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve, realizimi është shumë i ulët, ndërsa në 3 prej tyre vlera e realizimit apo tërheqjes së kredive është 0%”, thotë auditori.

Trendi historik i borxhit publik

Auditorit tregon se vonesat janë rezultat i një studimi të dobët të fizibilitetit.

“Vonesat e tilla janë rezultat i një studimi të dobët të fizibilitetit të projekteve, si dhe mangësitë në krijimin e parakushteve të nevojshme për eliminimin e të gjitha pengesave infrastrukturore dhe ligjore në realizimin e këtyre projekteve, për çka Qeveria duhet të ketë një mbikëqyrje të shtuar. Në anën tjetër, trendi i rritjes së borxheve të brendshme, e sidomos shtimi i përdorimit të fletë obligacioneve dhe zvogëlimi i bonove të thesarit, ndikon në rritjen e normave të interesit (kostos së borxhit)”, thotë auditori në raportin e tij për borxhin publik.

Auditori i Përgjithshëm ka rekomanduar Qeverinë që para se të filloj procesi i huamarrjeve, të bëhen analiza dhe planifikime të hollësishme që fondet e huamarrjes të shfrytëzohen me kohë, në mënyrë efikase, efektive dhe ekonomike, derisa për borxhin aktual Qeveria duhet të ketë një mbikëqyrje të shtuar në mënyrë që të rritet dinamika e përdorimit të fondeve në dispozicion.

Gazeta Jeta në Kosovë ka analizuar të dhënat e dala nga ky raport. Raporti i ZKA-së evidenton se që nga viti 2009 borxhi publik nuk ka pas të ndalur.

Në vitet 2009 dhe 2010, borxhi publik sillej prej 249 milionë deri 260 milionë euro. Për të rënë më pas në 253 milionë euro në 2011-ën. Në vitet 2012 dhe 2013, borxhi publik e arriti shifrën në mes të 409 milionë dhe 476 milionë euro.

Borxhi publik ka vazhduar trendin rritës deri në vitin 2017 arrin vlerën e mbi 996 milionë euro. Vlera më e ulët e borxhit publik shënohet në vitin 2009 me 249 milionë euro dhe më e larta është e 2017-ës e kalon vlerën e 996 milionë euro.

Mos-koordinim në mes të institucioneve, paqartësi në marrëveshje dhe vonesa në realizim të projekteve

Auditori përgjithshëm gjen se Ministria e Financave dhe ajo Punëve të Jashtme nuk u koordinuan për marrëveshjet e projektit të shëndetësisë.

“Ne kemi gjetur shumë korrespondenca të shkruara nga ana e Ministrisë së Financave drejtuar MPJ-së për përshpejtimin e procedurave, por përkundër kësaj, MPJ ka vazhduar të jetë edhe mëtutje neglizhente në shqyrtimin e kërkesave”, thuhet në raport.

Raporti auditorit evidenton se marrëveshja në gjuhën angleze parasheh norëm të interest përderisa në gjuhën shqipe nuk figuron.

“Para se të ratifikohen marrëveshjet ndërkombëtare, si të tilla ato përgatiten në gjuhën angleze, shqipe dhe serbe. Në marrëveshjen për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Reformës Shëndetësore në vlerë 18,613,139 euro, e ratifikuar në Kuvend me datën 26 mars 2015, në tekstin e gjuhës angleze neni II-Financimi, paragrafi 2.05, parasheh një normë interesi prej 1.25%. Por, ky nen nuk ekziston edhe në tekstin e gjuhës shqipe. Nuk është e qartë si do të zbatohet ky nen në rast të ndonjë kontesti në mes të palëve në marrëveshje” thuhet në raport.

Tutje në gjetjet e auditorit evidentohen se prej 10 projekteve të planifikuar realizimi ishte i ulët, apo më pak se 3%.

“Te marrëveshjet ndërkombëtare të kredive, kemi vërejtur që 10 projekte të planifikuara nga financimi përmes huamarrjes në vlerën 211,870,000 euro ishin ratifikuar nga viti 2013 deri në vitin 2016, ndërsa realizimi i tyre ishte tejet i ulët, vetëm 6,320,000 euro apo 3% nga vlera e huamarrjes. Madje në gjashtë projekte kapitale në vlerë 188,000,000 të planifikuara në ligjin e buxhetit sipas viteve 2014, 2015, 2016, 2017 dhe projeksioneve dy vjeçare, të përfshira edhe në KASH, realizimi i tyre ishte vetëm 2,630,000 euro apo 1.6%”, thotë raporti.

Tutje Auditori ka identifikuar projekte të cilat kanë pasur ngecje, duke konstatuar se vlera e pa tërhequr e kredive për këto projekte është 185,370,000 euro.

Ngecjet e identifikuara janë për projektet si në vijim: Financimi i Projektit për Përmirësimin e Rrugës M2 Milloshevë – Mitrovicë, që nga ratifikimi i tre marrëveshjeve për këtë projekt në vitet 2013-2014, ku zbatuese e projektit ishte Ministria e Infrastrukturës. Vlera e realizuar e projektit, sipas Auditorit ishte vetëm ishte 0.2%.

Ngecje kishte edhe në projektin për Përmirësimin e Sistemit të Arsimit në Kosovë, që kishte një realizim prej 4% që nga viti 2016, e zbatuese e projektit është Ministria Arsimit.

Kishte ngecur tërsisht projekti për rehabilitimi i rrugëve rajonale, e zbatuese e projektit Ministria e Infrastrukturës.

“Projekti i Rehabilitimit të Rrugës Hekurudhore 10, realizimi zero (0)% nga viti 2016, zbatuese e projektit Ministria e Infrastrukturës dhe Infrakos; Projekti i shëndetësisë, realizimi 11% nga viti 2015, për këtë projekt zbatuese ishte Ministria e Shëndetësisë; dhe Projekti për Masat e Energjisë Efiçiente në Komuna, realizimi zero (0)% nga viti 2016, zbatuese të projektit komunat: Ferizaj, Prishtina, Gjakova, Gjilani”, thuhet tutje në raport për projektet e pa-realizuara.

Sipas ZKA-së, planifikimi jo i mirë i projekteve të cilat do të financoheshin nga huamarrjet ka reflektuar në ngecjet e realizimit të tyre. Në këtë realizim të ulët kanë ndikuar edhe vonesat në themelimin e njësive zbatuese të projekteve, procedurat e ndryshme të prokurimit nga ato të parapara me marrëveshje të kredive, etj.