19:58 / E Mërkurë, 20 Qershor 2018 / k.v

Shtyhet betimi i grupit të parë të anëtarëve të KQZ-së

Është shtyrë për një ditë tjetër ceremonia e betimit të grupit të parë të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), e paraparë të mbahej nesër.

Burimet e Indeksonline brenda presidencës kanë konfirmuar për Indeksonline shtyrjen e kësaj ceremonie për arsyeje teknike.

“Po, është shtyrë emërimi dhe betimi i grupit të parë të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Kjo shtyrje është bërë pasi që është vërejtur se dokumentacioni i disa kandidatëve nuk është i plotë. Pra, për çështje tërësisht teknike. Emërimet do të bëhen pas kompletimit të tërësishëm të dokumentacionit të tyre”, kanë thënë për Indeksonline zyrtarë të Presidencës.

Indeksonline ka mësuar se nesër para presidentit është dashtë të betohen shtatë anëtarët e parë të KQZ, një nga Partia Demokratike e Kosovës, një nga Lidhja Demokratike e Kosovës, një nga Lëvizja Vetëvendosje dhe katër nga minoritetet.

Deri më tani Presidenti Thaçi ka emëruar vetëm kryetaren, Valdete Daka dhe me betimin e grupit të parë, KQZ do të ketë 8 anëtarë. Ndërsa për tre të tjerët duket se do të pritet përgjigja e Gjykatës Kushtetuese./Indeksonline/