11:39 / E Shtunë, 17 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Shtyhet seanca për demarkacionin, mund të mbahet në këtë ditë!

Ndonëse Kryeparlamentari, Kadri Veseli ka vendosur që seanca e jashtëzakonshme e legjislativit  të mbahet nesër (e dielë), e njëjta mundet të shtyhet për një ditë tjetër.

Kështu, Kryeministri i Republikës, Ramush Haradinaj ka treguar se gjatë javës do t’i kenë numrat për ratifikim të demarkacionit.

Sipas Haradinajt, e drejta e Kosovës është respektuar në territorin e saj.

“Mund të ndodhë që seanca të mos mbahet nesër. Gjatë javës do të kemi numrat. Besoj se i kemi numrat për shkak se e drejta e Kosovës në territor është respektuar”, është shprehur Haradinaj.

Ai ka thënë se për ta votuar demarkacionin duhen 80 vota, e  koalicioni i ka 61 vota megjithatë ende nuk e ka marrë konfirmimin nëse Lista Serbe do ta votojë demarkacionin.

Burime të Indeksonline bëjnë të ditur se gjasat për mbajtjen e seancës për ratifikimin e demarkacionit pritet të mbahet ditën e martë.

Ndryshe, në mbledhje Qeveria e Kosovës aprovoi aneks-marrëveshjen e nënshkruar në mes të dy presidentëve atij të Kosovës dhe Malit të Zi për rishikim të vijës kufitare dhe korrigjim./Indeksonline/