08:26 / E Diele, 06 Maj 2018 / indeksADMonline

“Si nëpër filma”, çantat me para fluturojnë nëpër autostradë

Ajo që ndodhi të mërkurën në një autostradë në Indianapolis në SHBA, është sa e pazakontë, aq edhe e rrezikshme.

Një automjet që transportonte para “vendosi” që t’i depozitonte ato në vendin e më të gabuar… mes të autostradës. Sigurisht gjithçka ishte aksidentale.

Por një moment që me mijëra dollarë fluturuan nëpër rrugë, qytetarët ndaluan makinat dhe dolën për t’i mbledhur… Sipas amerikanes CBS, dyshohet se në rrugë u shpërndanë më shumë se 600 mijë dollarë, megjithatë, policia thotë se shuma ekzakte nuk dihet.

“Çanta me para po dilnin nga pjesa e pasme e automjetit në mes të autostradës. Një pamje si e shkëputur nga ndonjë film, ku ke para dhe ato fluturojnë nëpër të gjithë rrugën… automjete që ndalojnë, njerëz që dalin nga makina për t’i mbledhur”, tha një zyrtar i policisë.

Ai madje tregoi se kishte edhe njerëz, të cilët kishin kaluar rrethimin e lagjeve ngjitur me shpresën për të futur në xhep disa para.

“Besoj se nuk është diçka që sheh çdo ditë, që qindra mijëra para të fluturojnë gjithandej gjatë një mëngjesi të zakonshëm”, tha zyrtari i policisë, i cili shtoi se e gjithë situata ishte vërtetë kaotike.

Oficerët bllokuan rrugën dhe iu futën punës për të mbledhur paratë, të paktën atë pjesë që kishte mbetur, pasi një sasi e mirë shkoi në xhepat e qytetarëve të thjeshtë, përcjell Bs.

E ndonëse mund të duket një situatë komike, policia u ka bërë thirrje banorëve që të kthejnë paratë e marra, pasi mund të përballen me akuzën e vjedhjes.

Madje aktualisht policia është vënë në kërkim të një automjeti të bardhë, që sipas mediave amerikane arriti të merrte një çantë të tërë me para. Ndërsa u raportua se edhe shoferi i një autobusi shkolle kishte ndaluar dhe kishte arritur të merrte një sasi të papërcaktuar parash.