14:51 / E Enjte, 01 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Sindikata e Shëndetësisë i bënë thirrje mjekëve për ndërprerje të grevës

36 specialistë të Kirurgjisë së Përgjithshme dhe Abdominale vazhdojnë grevën, me kërkesën kryesore të tyre për rritje të pagës.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosova ka paralajmëruar sot se do të kthehet integriteti në sistemin e shëndetësisë, duke ngritur cilësinë e shërbimeve shëndetësore.

Me këtë rast, Haradinaj ka shtuar se bashkë me drejtuesit e sektorëve shëndetësor janë mobilizuar për paga të dinjitetshme, ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme dhe avancimin e ligjeve në këtë fushë.

Indeksonline, ka tentuar të flas me drejtorin e Kirurgjisë Abdominale, Rafet Bajrami për këtë grevë, mirëpo nuk kemi arritur të marrim përgjigje.

Në anën tjetër, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës u kanë bërë thirrje këtyre specialistëve të ndërprenë grevën.

Në një prononcim për Indeksonline, kjo Federatë u ka bërë thirrje kolegëve të tyre që të bashkohen në kërkesa dhe veprimet e tyre sindikale.

“Së pari Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës nuk e ka organizuar dhe nuk qëndron prapa Grevës së specialistëve të Kirurgjisë së Përgjithshëm dhe Abdominale dhe për këtë nuk bartim përgjegjësi. FSSHK është në kontakt të vazhdushëm me Kryeministrin e Kosovës, Ministrin e Financave dhe Ministrin e Shëndetësisë për kategorizimin e vendeve të punës përmes ligjit të pagave dhe këtë do ta zgjidh në nivel institucional. Tani më pas prononcimit të sotëm nga Kryeministrit  dhe takimeve në ditët në vijim konsiderojmë që Greva nuk është e nevojshme andaj ftojmë anëtarët dhe kolegët tanë të Kirurgjis Abdominale që të na bashkohen në kërkesat dhe veprimet tona sindikale”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Ndryshe, kësaj greve të specialistëve të QKUK-së i janë bashkangjitur sot edhe kirurgët e Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës.

Këtë e kanë bërë të ditur nëpërmjet një vendimi të marr unanimisht nga reparti abdominal dhe kirurgjia e përgjithshme në këtë spital.

“Kolegjiumi i repartit të Kirurgjisë së Përgjithshme në Spitalin Rajonal Mitrovicë pas diskutimit për gjendjen e vështirë, kemi vendosur unanimisht të ju bashkangjitemi grevës”, thuhet në vendim./Indeksonline/