08:26 / E Enjte, 28 Qershor 2018 / indeksADMonline

Sindikata kërkon që Draft Statuti për Trepçën të kthehet në pikën zero

Sindikata e Punëtorëve të Trepçës ka kërkuar nga institucionet e vendit që të hedhin poshtë Draft Statuti për ndërmarrjen Trepça SH.A i propozuar nga Bordi i Trepçës, dhe të hartohet një statut i ri me kyçjen e ekspertëve më të mirë në vend që e njohin problematiken e Trepçës.

Përmes një njoftimit, sindikata ka kërkuar garanci që kërkesat sociale të zgjidhjen me ligj, transmeton Indeksonline.

Këto janë kërkesat e Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës:

Në takimin e përbashkët të shoqatave sindikale të punëtoreve të Trepçës dhe të stafit menaxhues të Trepçës të thirrur për implementimin e kërkesave të punëtoreve të Trepçës në Statutin e ndërmarrjes Trepça sh.a. dolën këto kërkesa sa vijon:

  1. Kërkohet që të behet ndryshim-plotësimi i Ligjit për Trepçën i cili shihet si pengesë për implementimin e kërkesave të parashtruara të punëtorëve të Trepçës.
  2. Draft Statuti i Trepça sh.a. i propozuar nga Bordi i Trepçës të kthehet në pikën zero.
  3. Të garantohet që kërkesat e parashtruara sociale të zgjidhen me ligj paralel me aprovimin e Statutit të Trepça sh.a.
  4. Fizibiliteti në të cilin është bazuar Ligji mbi Trepçën është i papranueshëm andaj kërkohet që të behët një fizibilitet në të cilin do të jenë të kyçur edhe ekspertët më eminent të Trepçës dhe Kosovës.

Kërkojmë nga institucionet relevante të Republikës së Kosovës që të shqyrtoj me seriozitetin më të madhe kërkesat e lartcekura në mënyrë që të shmangim pasojat e veprimeve më parë të paralajmëruara. /Indeksonline/