11:51 / E Enjte, 15 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Sinjale pozitive për ratifikim të demarkacionit

Sinjale pozitive janë dhënë dje dhe sot për zgjidhjen e shpejtë të çështjes së demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi. Vizita e kryeministrit malazez, Dushko Markoviq në Kosovë ka tërhequr vëmendjen e gjithë qytetarëve të Republikës. Ai ka konfirmuar se kanë biseduar me kryeministrin Ramush Haradinaj  për këtë temë duke shtuar se është i gatshëm të ndihmoj Kosovën të gjejë një zgjidhje më të mirë që marrëveshja e demarkacionit të ratifikohet sa më shpejtë.

“Gjithsesi se e kemi hapur edhe këtë çështje. Jemi dy kryeministra përgjegjës dhe duhet të bisedojmë për këtë çështje që është e rëndësishme për të dyja vendet.  Kur është fjala për Malin e Zi ka përfunduar këtë punë, por e dimë që Qeveria e Kosovës ene nuk e ka ratifikuar këtë marrëveshje. Mali i Zi dëshiron që kjo çështje të zgjidhet dhe të arrihet marrëveshje për këtë çështje. Mali i Zi është i gatshëm të ndihmojë Kosovën që ta ratifikojë sa më shpejt Demarkacionin”, ka thënë Markoviq.

Lidhur me vizitën e tij dhe deklarimin rreth demarkacionit, Indeksonline ka kontaktuar deputeten nga radhët e LDK-së, Besa Gaxherri.

Gaxherri ka theksuar se vizita e parë e një kryeministri të Malit të Zi në vigjilje të 10 viteve të pavarësisë së Kosovës është shumë e rëndësishme dhe e mirëseardhur.

“Kjo vizitë tregon se Kosova ka raporte të mira fqinjësore me Malin e Zi. Urojmë që kjo vizitë t’i shërbejë zhbllokimit të problemit të kufirit në mes këtyre dy shteteve. Dua të besoj se dy kryeministrat e dy vendeve tona kanë gjet ndonjë zgjidhje që të dalin nga ky bllokim që i është bërë Kosovës në raport me BE-në, si në procesin e liberalizimit të vizave dhe integrimeve në përgjithësi”, ka thënë Gaxherri.

Ndërsa Korab Sejdiu, deputet i Kuvendit të Kosovës e ka kuptuar deklaratën e kryeministri malazez, si një deklaratë shumë të matur, që tregon në njërën anë vullnetin e mirë të Malit të Zi karshi Kosovës, si shtet mik si dhe mirëkuptimin e tyre për situatën në të cilën gjendet Kosova.

“Mirëpo, në anën tjetër, deklarata e tij ishte më se e qartë se ndihma e tyre do të jetë e drejtuar kah ajo që t’i ndihmojë Kosovës që të ratifikojë marrëveshjen aktuale të cilën palët e kanë nënshkruar. Pra, nuk e shoh si ndonjë ndryshim të qëndrimit të Malit të Zi lidhur me këtë çështje, por më shumë si një deklarim i palëkundur por i kujdesshëm diplomatik i kryeministrit malazez, Markoviq që ka parasysh ndjeshmërinë e situatës në të cilën gjendet Kosova”, ka thënë Sejdiu për Indeksonline.

Pra sipas tij, përkthyer shkurt e shqip, kjo deklaratë rithekson edhe një herë se kjo çështje është e mbyllur për Malin e Zi, dhe se presin një ratifikim të shpejtë të marrëveshjes në fjalë nga Kosova.

Duhet përkujtuar se çështja e zgjidhjes së demarkacionit me Malin e Zi, vazhdon të jetë ndër kushtet e Kosovës në rrugën e saj drejt Evropës, bashkë me mundësinë e qytetarëve që të kenë liberalizim të vizave në zonën Shengen./Indeksonline/