12:32 / E Shtunë, 12 Maj 2018 / indeksADMonline

Sipas GSJP, qe 9 vite nuk u anëtarësua në asnjë agjenci të Kombeve të Bashkuara

Kosova ka mbetur mbrapa në anëtarësimin e saj në Agjencitë e Specializuara të Kombeve të Bashkuara. Kjo për faktin se nga pesëmbëdhjetë agjenci sa janë gjithsejtë, Kosova është anëtare e vetëm dy pre tyre, Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore.

Madje, në këto dy të fundit është anëtarësuar në vitin 2009 dhe që nga atëherë nuk është anëtarësuar në asnjë tjetër më.

Këto janë të dhëna janë evidentuar në raportin e Grupit për Studime Juridike dhe Politike, për integrimin e Kosovës në agjencitë e specializuara të Kombeve të Bashkuara.

Albana Rexha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, theksoi se anëtarësimi i Kosovës në agjencitë e specializuara të Kombeve të Bashkuara, por edhe në organizata të tjera internacionale, do të forconte shtetësinë e Kosovës dhe njëkohësisht do të rriste prezencën e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Sipas saj, do të zvogëlonte izolimin dhe do të ndihmonte shtetin e Kosovës që të adresonte probleme të shumta që ka.

“Kosova ka ngecur në vitin 2009 kur edhe është anëtarësuar në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore. Që nga ai vit, Kosova më nuk është anëtarësuar në asnjë agjenci tjetër të specializuar të Kombeve të Bashkuara. Janë edhe 13 agjenci të tjera të cilat janë të pavarura nga kombet e Bashkuara, pra operojnë në mënyrë të pavarur dhe në terma universal, si dhe në të njëjtën kohë këto agjenci janë përgjegjëse për bërjen  e normave globale në fushat që ato mbështesin”, tha Rexha.

Në raport, Rexha tha se kanë evidentuar tri fakte të rëndësishme që duhet të vihen në konsideratë kur Qeveria të aplikojë për anëtarësim në këto organizata. Sipas saj, e para është që numri i njohjeve të jetë i pakontestueshëm dhe i saktë, që shtetet që kanë njohur Kosovën gjithashtu të votojnë pro anëtarësimit të Kosovës në këto agjenci dhe shtetet që kanë njohur Kosovën të kenë të drejt vote.

Rexha tha se në bazë të kësaj analize, kanë identifikuar tre agjenci të OKB-së të cilat Qeveria duhet ta prioritizojë anëtarësimin në to, për arsye se anëtarësimi është shumë më i lehtë, krahasuar me agjencitë tjera.

“Agjencia e parë të cilën Qeveria duhet ta prioritizoj në kuptim të anëtarësimit, është organizata botërore e shëndetësisë. Për anëtarësim në këtë organizatë nevojitet një shumicë e thjeshtë e votave, ndërsa kuorumin e bëjnë shumica e shteteve që janë prezentë në atë seancë…Agjencia e dytë që ne i rekomandojmë qeverisë që në një afat të shkurtër të aplikoj për anëtarësim është Fondi Ndërkombëtarë për Zhvillim të Bujqësisë. Gjithashtu për anëtarësim në këtë organizatë nevojitet një shumicë e thjeshtë të votave në Këshillin Drejtues dhe jo secila votë ka të njëjtën peshë….dhe e treta është organizata botërore e pronësisë intelektuale”, tha ajo.

Ndërsa, në një kohë afatmesme, në bazë të raportit, Kosova duhet t’i prioritizojë tri agjenci tjera, atë meteorologjike, Unioni Ndërkombëtar të Telekomunikacionit dhe Organizatën Arsimore, Shkencore dhe Kulturore të OKB-së.

Sipas Rexhës, anëtarësimi në këto agjenci është më i vështirë, pasi duhen dy të tretat e votave të shteteve të pranishme.

Në këtë raport janë dhënë edhe disa rekomandime. GLPS rekomandon se Kosova duhet të synojë anëtarësimin në OBSH dhe Fondin Ndërkombëtar për Zhvillim Bujqësor, pasi të dyja janë shumë të rëndësishme për Kosovën.

Po ashtu, GLPS rekomandon që Kosova të aderojë në konventat e Bernës dhe Parisit dhe të depozitojë një nënshkrim me synimi për të ratifikuar dhe për t’u bashkuar në Organizatën Botërore të Pronësisë Intelektuale.