21:02 / E Mërkurë, 04 Prill 2018 / indeksADMonline

“Situata politike ndikon në zvarritjen e publikimit të aktakuzave nga Specialja”

Zvarritja e ngritjes së aktakuzave nga Prokuroria Speciale mund të vjen si pasojë e disa ngjarjeve që u pasuan muajt e fundit. Dorëheqja e kryeprokurorit David Schwendiman dhe tentimi i zhbërjes së Gjykatës Speciale në dhjetor të 2017-ës, mund të jenë arsye për mos ngritjen e aktakuzave të para.

Avokati Tomë Gashi, në një prononcim për Indeksonline ka thënë se të gjitha prokuroritë deklarohen të jenë apolitike, por kjo jo domosdoshmërish qëndron.

“Sa i përket ngecjeve të ngritjes së aktakuzave të para, nuk është faji tek Gjykata Speciale, por tek Zyra e Prokurorit Special dhe është e ditur se Prokuroritë gjithëkund në botë deklarohen se nuk kanë ndikime politike, por e vërteta është shpesh herë ndryshe. Por në këtë rast Dhoma e Prokurorisë Speciale në Hagë është duke bërë edhe kalkulime të tilla dhe kjo mund të thuhet edhe si spekulim, se dorëheqja e kryeprokurorit David Schwendiman, i cili ka mund që ta humbë postin për shkak se nuk ka mundur të ngrisë aktakuza, e posaçërisht ka qenë tensionim i madh gjatë tentimit të zhbërjes së Gjykatës Speciale më 22 dhjetor të vitit të kaluar”, ka thënë ai.

Lidhur me spekulimet në media se Specialja ka mund të nisë aktakuzat e para, por larg mediave, Gashi është shprehur se një gjë e tillë edhe mund të ndodhë.

“Është e mundur që edhe mund të ketë aktakuza të ngritura në Gjykatën Speciale sepse ka mundësi që ato të jenë të fshehta dhe Gjykata pastaj vendos se kur do t`i bëjë publike ato, qoftë duke dhënë urdhër për arrestimin e të akuzuarve apo që me aktakuza të njoftohen të akuzuarit dhe ata vullnetarisht të vetëdorëzohen, por edhe kjo mbetet në sferën e spekulimeve”, ka deklaruar ai.

Gashi ka shtuar si shkak i papërgjegjësisë së udhëheqësve të shtetit, mund të ekzistojë frika për publikimin e aktakuzave. Ai ka përmendur rastin e 6 turqve të deportuar në Turqi, votimin e demarkacionit dhe arrestimin e Marko Gjuriqit ditë më parë në Veri.

“Sigurisht që situata politike ka ndikime edhe në zvarritjen eventuale të publikimit të aktakuzave, për shkak të frikës nga disa udhëheqës politik të papërgjegjshëm, të cilët mund të tentojnë që të krijojnë trazira apo acarime siç e krijuan me rastin e deportimit të turqve, në mënyrë krejtësisht të kundërligjshme dhe kundër konventave ndërkombëtare. Po ashtu politikanët tanë kanë edhe prirje për të krijuar spektakël, sikur ka qenë ai i arrestimit të Gjuriqit, i cili arrestim ka mundur të bëhet pa shou medial, por qëllimi ka qenë që të zbehet mllefi i popullit, i cili e din se me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes për demarkacion, Kosova ka humbur 8200 ha”, ka thënë ai për Indeksonline.

Kujtojmë se Gjykata Speciale është funksionale që nga viti i kaluar, por që ende nuk dihet se kur do të ngritën aktakuzat e para. Së fundmi po spekulohet se aktakuzat janë ngritur, por nuk janë bërë publike në opinion./Indeksonline/