12:18 / E Hënë, 13 Gusht 2018 / indeksADMonline

Skandaloze: Mafiopolitika s’lejoi t’i konfiskohen 16.2 milionë euro “Kosmocell”-it, ART-ja rregullatore e telekrimit (Dokumente)

Garancioni i Pakthyeshëm Bankar i konzorciumit “Kosmocell” kishte vlefshmëri përplot 5 vjet, por Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit e kishte heshtur këtë vepër të “mafiopolitikës” dhe kishte dhënë arsyetime të paqëndrueshme për të mos e konfiskuar, duke dëmtuar kështu buxhetin e shtetit me 16.2 milionë euro.

Shefi i Zyrës Ligjore të Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit, Petrit Dërguti, sipas dokumenteve të siguruara nga IndeksOnline, më 26 mars 2007 i kishte kërkuar interpretim Komisionit Special Mbikëqyrës lidhur me bazën ligjore të konfiskimit të këtij Garancioni Bankar, por si duket asnjëherë nuk kishte marrë me shkrim përgjigje zyrtare.

“Zyra Ligjore e ART-së ju drejtohet juve si Komision për Mbikëqyrjen e procesit tenderues dhe si aprovues të Pakos Tenderuese, që të bëni interpretimin e rregullave të tenderit, përkatësisht nenit 22, sepse ne konsiderojmë se jemi jokompetent për të bërë interpretimin e Pakos Tenderuese”, kishte shkruar Dërguti, duke ju referuar penalizimit të “Kosmocell”-it me ndaljen e Garancionit të Pakthyeshëm Bankar.

Në përbërje të Komisionit Special Mbikëqyrës, asokohe ishin Agim Kukaj nga Ministria e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Anton Berisha nga Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit, Viktor Ula nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, si dhe Johan Van Lameon dhe Ernest Tschoepke nga UNMIK-u.

Ky Garancion Bankar i ofruar nga konzorciumi i shpallur fitues “Kosmocell”, kishte vlefshmëri 5 vjeçare në bankën italiane “La Stella Finanziaria SpA”, saktësisht deri më 16 janar 2012.

Duke mos e konfiskuar atë, vetë Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit bashkë me Komisionin Special Mbikëqyrës kishin shkelur kriteret e pakos tenderuese për Telefoninë e Dytë Mobile në Kosovë.

Kur Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit i kishte raportuar Kuvendit të Kosovës lidhur me këtë çështje, ky institucion ishte arsyetuar duke thënë se konzorciumi “Kosmocell”, pjesë e të cilit ishte kompania e Ekrem Llukës, kishte dorëzuar një Garancion Bankar të falsifikuar.

Në një raport të bërë në vitin 2011, një vit para se t’i skadonte zyrtarisht vlefshmëria këtij Garancioni Bankar, Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit kishte konstatuar se nuk ekziston një institucion financiar në adresën e shënuar, megjithatë nuk kishte treguar nëse kanë iniciuar padi ndaj “Kosmocell”-it për “mashtrimin e madh”.

IndeksOnline ka siguruar tërë dokumentacionin e aktit garantues, me nënshkrime dhe vula të institucionit financiar “La Stella Finanziaria SpA”, që mban datën 17 janar 2007, me të cilin demantohet edhe Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit, që për shkak të ndikimeve politike, në versionin e parë, as nuk i kishte konfiskuar 16.2 milionë euro, ndërsa në të dytin, as nuk i kishte paditur kompanitë e nënshkruara në aktin garantues të konzorciumit “Kosmocell”, nëse ai akt, sipas tyre, paska qenë i falsifikuar. /IndeksOnline/

Lexo edhe: http://indeksonline.net/ekskluzive-kurdisen-mashtrimin-e-madh-shteti-nuk-u-konfiskoi-garancionin-e-pakthyeshem-bankar-prej-16-2-milione-euro-dokumente/

Lexo edhe: http://indeksonline.net/skandaloze-oligarku-bujar-musa-tentoi-ti-pastroje-1-milion-dollare-false-ne-kazinote-amerikane-dokument/

Vazhdon: Pse është e çuditshme ngutia e ART-së për ta shpallur IPKO-n fituese? Çfarë thuhet në procesverbale për afatin ligjor? Çfarë i kishte ofruar si dëshmi përfaqësuesi i Kosmocellit, Rocco Emanuele Castrigano, ART-së? Pse ART-ja nuk e kishte thirrur fare Komisionin Special Mbikëqyrës kur kishte marrë vendimin për shpalljen e fituesit të dytë? Etj.