17:00 / E Premte, 15 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Skepticizëm për liberalizimin e vizave

Kosova pritet të marrë lajme të mira gjatë muajit dhjetor lidhur me liberalizim e vizave. Kështu ka bërë të ditur kryeministri Ramush Haradinaj, i cili për këtë çështje do të udhëtojë më 18 dhjetor në Bruksel. Skeptik për zgjidhjen e këtij problemi të qytetarëve kosovarë është shprehur politologu Belul Beqaj. Ai në një prononcim për “Indeksonline” ka thënë se vetëm ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi e nis procesin për liberalizim. Ndryshe, ai ka deklaruar se qytetarët janë duke u keq qeverisur, andaj edhe po të jepej drita e gjelbër për vizat, do të vazhdonte ky lloj i qeverisjes jo të mirë.

“Qëndrimi i BE sa i përket liberalizimit të vizave është ofendues për kosovarët, por i qartë. Procesi i liberalizimit, të cilin mund të ndal secili anëtar i BE , fillon me ratifikimin e demarkacionit.

Mendoj se nuk është mirë që kryeministri të ndërroj mendjen pas dy-tre vjet maltretimesh, për hirë “të qytetarëve dhe miqve amerikan” duke votuar Raportin e parë, ngase shihet se ai i ka tortuaruar qytetarët vetëm për të ardh në pushtet…Për qytetarët e Kosovës më e rëndësishme se liberalizimi i vizave do të ishte lajm i mirë nëse bie kjo Qeveri. Meqë, demarkacioni dhe temat tjera të mëdha janë pasojë e keq qeverisjes. Prandaj ratifikimi eventual fillon procesin e heqjes së vizave por vazhdon jetën e keq qeverisjes që do të shkaktojë pasoja më të mëdha se demarkacioni!”, ka thënë ai.

Sipas Beqajt, kryeministri Haradinaj mund të ratifikojë versionin e parë të Demarkacionit vetëm sa për të vazhduar pushtetin. “Duke marr parasysh motivin e pushtetofobisë të kryeministrit dhe vazalitetin e kabinetit nuk e përjashtoj mundësinë që ai të jep vizën për ratifikim. Ai para audiencës kinse do të amnistoj veten dhe bashkëmendimtarët duke thënë se Komisioni i Bulliqit e konfirmoi se kufiri është në Çakorr dhe Kullë…ndërsa ai për hire të “qytetarëve dhe miqve amerikan” do të nënshkruaj Ratifikimin e Komisionit të parë”, është shprehur ai.

Përgjegjës për mosrealizimin e çështjeve të mëdha të vendit si demarkacioni, liberalizimi dhe luftimi i korrupsionit, Beqaj i bënë të gjithë politikanët e pasluftës. Një faj, politologu ua hedhë edhe qytetarëve të cilët siç thotë ai, protestojnë edhe për gjëra banale, por jo edhe për ato kryesore. Po ashtu, Beqaj thotë se fajtore është edhe BE-ja që ka lejuar ngritjen e një lidershipi i cili është fuqizuar aq shumë, saqë nuk munden ta ndalin më as ata.

“Përgjegjësia më e madhe i mbetet politikbërësve të pasluftës në përputhje me fuqinë politike që e kanë pasur, shoqërisë kosovare që është në gjendje të protestojë për gjëra banale, e nuk është në gjendje të protestojë për gjëra esenciale, siç është, papunësia, korruspioni, aferat e ndryshme, pagesa e rrymës edhe për serbet e veriut?! Fundja, mjerisht një pjesë shumë të rëndësishme të përgjegjësisë e ka edhe bashkësia ndërkombëtare e cila e obsesionuar me çështjen e sigurisë dhe stabilitetit e ka toleruar një lidership politik i cili është fuqizuar aq shumë në ambiciet për të kontrolluar pushtetin, sa që vështirë se mundet për ta ndal edhe bashkësia ndërkombëtare që e ka toleruar këtë kleptokraci”, ka deklaruar ai për “Indeksonline”.

Beqaj është shprehur se premtimet për realizimin e temave të mëdha mbeten vetëm shpresë sepse politikanët e kanë në mendje vetëm si të vijnë në pushtet. Ai ka shtuar se nga këta politikanë mund të pritet vetëm ashpërsim i luftës mes tyre për të përfituar nga pushteti./Indeksonline/

Temat: