16:05 / E Premte, 05 Janar 2018 / indeksADMonline

“Snajperi Arnaiz”, 3 gola me 3 goditjet e para

Hoze Arnaiz, ndoshta një Lionel Messi i ri?!Ndoshta, pse jo, Barcelona është mësuar që të rrisë talente të mëdhenj, ndonëse  ndryshe nga “Pleshti” është 22-vjeçar dhe debutimin me skuadrën e parë e ka bërë shumë vonë, duke kujtuar që argjentinasi ka veshur bluzën katalanase 17 vjeç.

Gjithsesi, Arnaiz po shndërrohet në një fenomen të Kupës së Mbretit dhe ndërkohë ka arritur që të bëjë edhe diçka më madhështore sesa vetë Messi.

Dje, në sfidën e parë të 1/8-ave kundër Celta Vigos, ai i dha avantazhin Barçës në minutën e 15-të, me goditjen e parë të bërë në portë. Për sulmuesin është një rastësi e veçantë, ose ai është realisht një “snajper”, sepse ashtu si dje, edhe në dopio-duelin e më parshëm në kupë, ndaj Murcias, ai shënoi në të dyja sfidat dhe sërish në të dyja, me goditjen e parë në portë (3 gola në 3 ndeshje, dhe të tria me goditjen e parë drejt kuadratit). Kjo statistikë e vë atë në vitrinën e talenteve që duhen mbajtur nën vëzhgim.