07:09 / E Martë, 25 Shtator 2018 / indeksADMonline

Sot lansohet agjenda “Drejtësia 2020”

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, së bashku me kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj mbajnë një konferencë për media në të cilën do të prezantojnë planin e përbashkët  “Drejtësia 2020”.

Sipas Tahirit, kjo agjendë dy vjeçare do të bëhet për të përmbyllur tranzicionin në sistemin e drejtësisë.

“Pas një angazhimi një vjeçar në kompletimin e legjislacionit dhe përkushtimit ndaj komponentëve të rëndësishme si parakusht për fuqizimin e Shtetit të së Drejtës, nesër do të lansojmë agjendën “Drejtësia 2020”.

Në dy vitet e ardhshme, institucionet e sistemit të drejtësisë, gjithsecili në veprimtarinë e vet dhe brenda përgjegjësive kushtetuese, duke respektuar në plotëni pavarësinë, neutralitetin dhe ndarjen e pushteteve, do të koordinohen për ta përmbyllur tranzicionin në sistemin e drejtësisë dhe për t’i siguruar atij kursin e progresit afatgjatë dhe të qëndrueshëm.” ka shkruar Tahiri.

Ministri ka potencuar se  efektet e kësaj agjende do të ndikojnë në përditshmërinë e qytetarëve, ndërkaq partner të rëndësishëm në këtë proces do të jenë edhe Zyra e BE-së dhe Ambasada e SHBA-së.

“Agjenda “Drejtësia 2020” që do të ketë partner të fuqishëm Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë si dhe Ambasadën e  Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të jetë angazhimi më i madh që ka ndodhur nga institucionet vendore për ta materializuar  shtetin ligjor, efektet e të cilit, qytetarët do t’i ndjejnë në përditshmërinë e tyre” ka përfunduar Tahiri në statusin e tij.