06:54 / E Mërkurë, 20 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Sot nënshkruhet marrëveshja për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”

Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) organizon sot ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjeve Komerciale për ndërtimin e Termocentralin “Kosova e Re”, në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Contour Global.

Me këtë marrëveshje në Kosovë do të investohen mbi 1 miliard euro, gjë që paraqet investimin më të madh në historinë e re të Kosovës.

Pas finalizimit, ky projekt do të sigurojë pavarësinë energjetike për shtetin dhe popullin e Kosovës.

Termocentrali do të ndërtohet me një bllok të vetëm superkritik, me efiçiencë minimum 40% dhe kapacitet elektrik bruto prej 500 MW.

Me komponentën e koogjenerimit për ngrohjen qendrore, do të ketë kapacitete shumë më të mëdha për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes për qytetin e Prishtinës, Obiliqit, Drenasit dhe Fushë Kosovës.

Termocentrali i ri do të fillojë të ndërtohet në vitin 2018 dhe do të jetë funksional që nga viti 2023, do të jetë i ndërtuar me fjalën e fundit të teknologjisë dhe në këtë mënyrë do të reflektojë në uljen e emetimit të gazrave, respektivisht në ruajtjen e mjedisit.

Ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re” është ngjarje historike për popullin e Kosovës sepse energjia është kushti i pashmangshëm për të ardhmen prosperuese ekonomike, politike dhe sociale.

Të pranishëm në këtë ceremoni do të jenë, Hashim Thaçi, President i Republikës së Kosovës; Ramush Haradinaj, Kryeministër i Republikës së Kosovës; Gregory T. Delawie – Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës; Valdrin Lluka, Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Udhëheqës i Komitetit Drejtues të Projektit; Joseph Brandt – CEO Countur Global dhe përfaqësues tjerë diplomatikë dhe institucioneve ndërkombëtare dhe përfaqësues tjerë të institucioneve vendore.