16:14 / E Enjte, 08 Mars 2018 / indeksADMonline

S’po ia do, Sharapova eliminohet nga turneu “Masters”

Ka nisur sot turneu i parë Masters i vitit 2018, ai i Indian Wells, që ka dhuruar surpriza që në raundin e parë. Ish-numri 1 në botë, tenistja ruse Maria Sharapova, është mundur 2-0 (6-4, 6-4) nga rivalja japoneze Naomi Osaka. Një humbje dhe eliminim i papritur i Sharapovës, që ka triumfuar dy herë në Indian Wells, por këtë herë dështoi që në përballjen e saj.

“Nuk e kuptoj këtë humbje. Këtu kam fituar edhe më parë e doja të ecja sa më gjatë, por gjërat nuk funksionuan ashtu si duhet”, tha Sharapova.

Për tenisten ruse ky është eliminimi i dytë radhazi që në raundin e parë në një turne, pas atij të Dubait dy javë më parë, duke mos gjetur dot ritmin e duhur dhe zhgënjyer fansat me paraqitjen në fushë. Sharapova, aktualisht numri 41 në botë, në të dyja setet ka qenë në ndjekje të rivales, duke mos arritur dot të tregojë një nivel të kënaqshëm./IndeksOnline/