14:10 / E Hënë, 16 Tetor 2017 / indeksADMonline

Stefanski gjyqtar kryesor i ndeshjes Skënderbeu – Partizani

Daniel Stefanski është gjyqtari kryesor që UEFA ka ngarkuar për të drejtuar takimin e ditës së enjte, Skënderbeu – Partizani i Beogradit.

40-vjecari nga Polonia do të ketë asistentët e tij Marcin Boniek dhe Dawid Igor Golis.

Ndihmësit e treshes kryesore do të jenë polakët Bartosz Frankowski dhe Zbigniew Dobrynin, ndërsa gjyqtar i katërt do të jetë Krzysztof Myrmus.

Për ekipin e Ilir Dajës, që vazhdon të mbetet i pamundur në shtëpi në aventurën e sivjetshme në Ligën e Evropës, kurioz është fakti që është arbitruar përherë nga gjyqtarë nga vende të ndryshme.

Kështu për Skënderbeun sivjet kjo është ndeshja e 11-të në Europa League dhe është për herë të parë që klubi korcar do të gjykohet nga një arbitër polak. Daniel Stefanski ka drejtuar gjithsej 27 takime klubesh dhe 25 ndeshje të skuadrave përfaqësuese, ku pjesën më të madhe, më saktë 13 prej tyre, e zënë pikërisht sfidat e moshave të 19 dhe 21-vjecarëve.

Në 18 nga këto 52 ndeshje Stefanski ka qenë gjyqtar i katërt. Polaku konsiderohet një arbitër që e nxjerr lehtë kartonin e verdhë, por tepër rrallë atë të kuq, pasi numërohen vetëm 9 të tillë gjithsej.