09:25 / E enjte, 12 Janar 2017

Si të zgjidhni fustanin e duhur të nusërisë, grimin dhe modelin e flokëve? (Foto)

Si të zgjidhni fustanin e duhur të nusërisë, grimin dhe modelin e flokëve? (Foto)

Një fotografi flet sa mijëra fjalë, por ajo e dasmës është më shumë se kaq, sepse ka brenda dashurinë, premtimet, kujtimet, stilin, elegancën, trendin e momentit etj. Të gjithë këta elementë së bashku, i bëjnë fotot të paçmueshme, unike. Por si t’i bësh ato që të jenë gjithnjë në modë? Kështu nisi edhe ideja e këtij editoriali për t’u kthyer përgjigje nuseve të ardhshme që bëjnë të njëjtën pyetje: si të zgjedh fustanin, grimin, modelin e flokëve dhe të bëj një set fotografik, që kur ta shoh pas 20 vjetësh të them se kam bërë zgjedhjen e duhur?

Grimierja dhe stilistja profesioniste e flokëve, Eva Dibra, së bashku me çiftin e bashkëshortëve fotografë Rosita dhe Armand Habazaj, vendosën se do të punonin me 4 profile të ndryshme, ku çdo vajzë që dëshiron të marrë disa ide për ditën e saj të madhe, ta gjejë veten në njërën prej tyre. Eva dhe Rosita veçuan 8 fustane nga “Geraldina Sposa”. Koleksioni ishte aq i pasur, saqë vështirësia e vetme ishte se cilin të zgjidhje! Stili i thjeshtë, bohem, mbizotëroi jo vetëm në fustanet e nuseve, por edhe në aksesorët që vendosën të përdornin, si për shembull, lulet natyrale. Buqeta, kurora, kapela apo karfica me lule shumëngjyrëshe, ishin në tonet pastel për një pamje më romantike, larg së bardhës dhe shkëlqimit klasik. “Flormarket Tiranë” i përgatiti ashtu si Eva dhe Rosita i kishin menduar, duke i kompletuar nuset me një stil bohem, rustic dhe me elementë të thjeshtë. Gjithçka e pastër, e thjeshtë, natyrale, po aq sa edhe grimi i cili nëpërmjet dritëhijeve dhe kontrasteve nuk bën gjë tjetër veçse thekson tiparet e bukura të secilës nuse. “Një nuse në pasqyrë, duhet të shohë veten dhe jo dikë tjetër” thotë Eva, ndërsa me shumë kujdes i jep rëndësi çdo detaji të portretit të modeles.  “Nuk po u vendos qerpikë fals, asnjë vajzë nuk ka nevojë për gjëra shtesë për t’u dukur e mrekullueshme, duhet vetëm të përkushtohesh, të punosh me dritëhijet për të nxjerrë më të mirën e tipareve të saj dhe të mos fshehësh shkëlqimin e syve të protagonistes së dasmës”. Mos zgjidhni tendencën e momentit, por atë që ju përshtatet! Mos pozoni përpara aparatit, por rrezatoni gjithë gëzimin që keni brenda vetes, që kur të shihni foton tuaj pas disa vitesh, të keni shumë për të rrëfyer!


Lexo të tjera