11:47 / E Mërkurë, 10 Janar 2018 / indeksADMonline

Storia e Brezovicës: 1 euro pagesa, plot bukuri por ankesa (Foto+Video)

Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapsinorë që nga muaji Janar i këtij viti  ka vendosur nje laurë në rrugën që çon në Qendrën e Skijimit në  Brezovicë, e ku hyrja tashmë është bërë me pagesë. Dy persona, të cilët thonë se janë punëtorë të Ministrisë së Ambientit, i ndalin makinat e vizitorëve dhe u kërkojnë atyre që të bëhet pagesa prej një  euro për person dhe po aq edhe për veturë.

Pagesa vlenë për të gjithë qytetarët por jo edhe për  banorët vendas dhe ata që kanë vilat dhe  këmbështëpizat në këtë zonë.  Sapo afrohemi tek laura personi zyrtar na njofton për pagesën që duhet të bëhet në hyrje dhe zgjat biletat ku në to është e vendosur logoja e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Nga personat zyrtarë  kërkojmë që të na japin edhe kupon fiskal mirëpo ata thonë se nuk kanë dhe nuk i shërbejnë qytetarët me kupon fiskal, gjë që  shteti është i pari që duhet ta bënte një gjë të tillë, shkruan Indeksonline

Pasi kalojmë pengesën rruga në vazhdim është e mbushur plotë me gropa ndërsa  gjatë rrugës takojmë shumë qytetarë duke ecur në këmbë të cilët kanë lënë  makinat e tyre skaj rrugës. Në pamundësi për të vazhduar më tutje edhe ne detyrohemi të ndalim makinën buzë rrugës dhe pjesën tjetër të rrugës,afër dy kilometra e bëjmë në këmbë.

Qytetarët janë të habitur paksa me këtë vendim të ministrisë por megjithatë nuk hezitojnë ta bëjnë pagesën. Ata shprehin shumë ankesa me ambinetin që i rrethon dhe mungesën e parkingjeve përderisa thonë se pagesa që bëhet në hyrje nuk i arsyeton kushtet në të cilat ndodhet kjo qendër skijimi.

“A po e shihni se qysh jemi blloku po duhet me ec në këmbë 30 minuta me fëmijë të vegjël për me shku te teleferiku, edhe rruga eshtë krejt me gropa s’ka parking s’ka kurgjo’’, shprehet i indinjuar një qytetar teksa mbanë fëmijën në krah,  i cili kishte ardhur nga Gjilani për ta shijuar borën  në Brezovicë.

Në rrugë ka  dalur edhe Policia e Kosovës e cila përpiqet që të mos bllokohet rruga e cila është  mbushur  nga qindra  makina dhe  autobusë që kanë  vërshuar Brezovicën të ardhur nga e gjithë vendi por edhe turistë nga vendet e rajonit.

Duke ju afruar kompleksit turistik të Brezovicës gjendja është akoma më  e keqe. Qindra thasë me mbeturina kanë  mbuluar kontenjerët të cilët si duket me javë të tëra nuk janë zbrazur e ku mbeturinat kanë vërshuar edhe rrugën.

Rrugës takojmë dy qytetarë të cilët vinin  nga komuna e Gjakovës dhe Junikut, ata po kthehen të indinjuar me kushtet që i ofron kjo qendër: “Kushtet katastrofë këtu kurfar shërbimi nuk të ofrohet gjynah është me i hargju paret me ardhë këtu, pagesa është e drejtë sepse në gjithë botën paguhet por tani duhet me ofru edhe kushte a po e sheh s’ka parking s’ka kurgjo krejt bërllog’’ shprehen të revoltuar ata.

Mirëpo, megjithatë këto parregullësi që shfaqen gjatë rrugës ajo që ia vlenë për të ardhur këtu është natyra e mrekullueshme në këtë vend të bukur. Albi Shaholli sapo kishte ardhur nga Tirana për të qëndruar disa ditë në Brezovicë.

“Kemi  ardhur  tani nga Tirana, patëm ca probleme gjatë rrugës sepse nuk kishte askund parking dhe bëmë një copë rrugë në këmbë do rrimë disa ditë dhe shpresoj se do ia kalojmë mire”. Ai me shumë kujdes rregullon skijat dhe bëhet gati për të skijuar. Teleferiku është i mbushur përplotë me vizitorë, e teksa ngjitesh lartë në majat e bjeshkëve të shfaqet natyra e mrekullueshme e cila ua hjeqë frikën edhe atyre që kanë frikë lartësitë  duke i “hutuar” me  bukuritë e mahnitëshme të Maleve të Sharrit.