14:16 / E Hënë, 08 Janar 2018 / indeksADMonline

Studentët paralajmërojnë protesta nëse bursa nuk bëhet 900 euro

Vendimi i Këshillit Drejtues të UP-së për uljen e vlerës së bursës studentore nga 900 në 500 euro, ka bërë që Organizata Studentore “Reforma”, të organizojë një aktivitet simbolik për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj këtij vendimi.

Ata thanë se nuk do të ndalen deri sa të rikthehet vendimi që bursa për studentët të bëhet siç ka qenë 900 euro, madje ata thanë se nëse është nevoja edhe do të protestojnë.

“Hej a po don me apliku për bursë? Jo bre, qaq m’del rroga e kamarierit”, ishte një nga pankartat që këta studentë kishin vendosur para hyrjes së rektoratit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Arben Elshani, nënkryetar i Organizatës “Reforma”, tha se përmes këtij aktiviteti do të kërkojnë që vlera e bursës të kthehet siç ka qenë.

 

“Sot ne Organizata ‘Reforma’ përmes këtij aktiviteti do të shprehim jo vetëm kundërshtimin e vendimit dhe të kthehet në rishqyrtim, por që të kthehet edhe vlera e bursës që ka qenë më herët në 900 euro. Në coftë se ky vendim nuk kthehet në shqyrtim dhe të bëhet vlera e bursës siç ka qenë më parë në 900 euro, atëherë ne nuk do të ndalemi deri në shkarkimin e bordit aktual. Do të kërkojmë edhe nga ministri i arsimit dhe Qeveria që do të kërkojnë edhe shkarkimin e bordit, në mënyrë që kjo kërkesë të realizohet deri në fund. Nuk do të dorëzohemi për asnjë rast”, tha ai.

Ndërsa, ai tha se kanë marrë edhe një mesazh nga rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema.

 

“Ne si organizatë përmes këtij aktiviteti kemi dashur që të shprehim gjendjen aktuale në Universitetin e Prishtinës, prandaj sot e morëm edhe një mesazh nga rektori Dema që ky aktivitet është jo i mirë, sepse po shfrytëzohet në forma të ndryshme. Desha të them që nuk është e drejtë e tij që të flas për bursat, se nuk është kompetencë e tij. Pastaj ne me rektorin Dema do të merremi me çështje për cilësi dhe zhvillim në Universitetin e Prishtinës, ndërsa për bursa do të merremi me bordin aktual”, tha Elshani.

Ditë më parë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj kishte takuar disa studentë bursistë, ku u kishte premtuar se nuk do të zvogëlohen bursat. E të njëjtin qëndrim e ka dhënë edhe ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi.