15:41 / E Shtunë, 22 Shtator 2018 / indeksADMonline

Sulmi ndaj paradës ushtarake në Iran, 24 të vdekur dhe 53 të plagosur

Të paktën 24 persona janë vrarë dhe 53 të tjerë u plagosën në një atentat që shënjestronte sot në mëngjes një paradë ushtarake në Ahvaz, në jugperëndim të Iranit, sipas një bilanci të ri zyrtar.

“Numri i martirëve të vrarë në sulmin terrorist arrin në 24, mes të cilëve edhe gra dhe fëmijë që ndodheshin tek spektatorët, si dhe ky bilanc mund të përkeqësohet sepse të plagosurit janë në një gjendje kritike”, shkruan agjencia zyrtare IRNA.

Ky atentat, që nuk është marrë ende përsipër nga ndonjë grupim, ndodhi në një çast që vendi kujton Ditën Kombëtare të Forcave të Armatosura iraniane që përkujton çdo 22 shtator fillimin nga Bagdadi të luftëns Iran-Irak (1980-1988).

Sulmi që ndodhi rreth orës 09:00 (05:30 GMT) sipas agjencisë gjysmëzyrtare ISNA ndodhi në Ahvaz, kryeqyteti i provincës Khuzestan, i populluar kryesisht nga Arabë.

Sulmuesit qëlluan nga një park afër paradës, dhe kishin veshur uniformë ushtarake, raportojnë mediat. Televizioni shtetëror thotë se militantët islamikë qëndrojnë pas sulmit.