09:52 / E Diele, 13 Maj 2018

Sulmohet me molotov shtëpia e një hetuesi policor në veri të Mitrovicës

Persona të panjohur kanë sulmuar mbrëmë rreth mesnatës me koktej molotovi shtëpinë e hetuesit policor, Millan Ristoviq, e cila gjendet në fshatin Zherovnicë të Zveqanit.

Mësohet se edhe pse molotovi është hedhur në njërën prej dhomave të katit të parë të  shtëpisë së policit, zjarri nuk ka depërtuar nëpër të gjitha hapësirat, ndërsa përveç dëmeve materiale, nuk ka njerëz të lënduar.

“Ristoviq deri vonë ka qenë shef i operativës në stacionin policor në veri të Mitrovicës, kurse tani është vetëm hetues. Ai është i njohur për kërkim të haraçit nga njerëz që sjellin ilegalisht mallra nga Serbia në Kosovë dhe mban lidhje të ngushta me kontrabandistët. Nuk përjashtohet mundësia që për shkak të ndonjë mosmarrëveshje mes tij dhe kontrabandistëve i është sulmuar shtëpia”, kanë thënë burimet e agjencisë së lajmeve ‘Kosovapress’.

Policia ka dal menjëherë në vendin e ngjarjes dhe është duke zhvilluar hetimet.

Ndryshe, të njëjtit polic i ishte djegur edhe automjeti ‘Golf 5’ para rreth një muaji, ndërsa autorët nuk janë kapur ende nga policia.