12:19 / E Shtunë, 22 Shtator 2018 / indeksADMonline

Tahiri akuzon Kurtin për sabotim të fazave kyçe të ndërtimit të shtetësisë së Kosovës

Paralajmërimeve për protestë të Albin Kurtit kundër negociatave me Serbinë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, i është përgjigjur ashpër Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

Këtë ai e ka bërë përmes një postimi në llogarinë e tij në “Facebook ku ka thënë se kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti i është kthyer avazit të vjetër duke sulmuar ekipin negociator për bisedimet me Serbinë.

Sipas Tahirit, masat anti-insitucionale e aksionet subversive nuk janë risi, duke e akuzuar Kurtin se kështu ka vepruar se gjatë gjithë procesit historik të ndërtimit të shtetit të Kosovës.

Më poshtë gjeni postimin e plotë:

Albin Kurti në stilin e avazit të vjetër po i vazhdon sulmet ndaj ekipit negociator të Republikës së Kosovës për bisedime me Serbinë, me lloj lloj frazash manipulative, ekip ky që ka për qëllim arritjen e një marrëveshje finale për normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve të mbështetura nga BE-ja.

Madje në kundërshtim të këtij procesi të domosdoshëm politik , ai ka propozuar edhe protesta popullore dhe demonstrata për ta penguar delegacionin e Kosovës për arritjen e një marrëveshje të tillë.

Sidoqoftë, si etiketimet që vazhdimisht i lanson ashtu edhe paralajmërimet që me masa anti-insitucionale e aksione subversive do të tentoj ta pengoj këtë proces, nuk janë ndonjë risi sa i përket aktiviteteve të tij politike.

I kemi parë këto veprime në vazhdimësi, pikërisht në momentet delikate gjatë procesit historik të shtet ndërtimit të Kosovës. Me anë të tyre ai ka synuar t’i sabotoj fazat kyqe të ndërtimit të shtetësisë sonë. Kështu, edhe sot ky qëndrim pos që vuan nga disa të meta bazike sa i përket rezonit logjik shtetëror që do të duhej ndjekur me synim sigurimin e një stabiliteti afatgjatë për Republikën e Kosovës, po ashtu këto prononcime e shndërrojnë atë në abuzuesin më të madh në skenën publike të Kosovës.

Pra si në të kaluarën edhe tani alternativa e vetme e tij ka mbetur kaosi. Për të politika ka qenë vetëm një shans jetësor për të promovuar pasionet e tij revolucionare, por jo edhe përgjegjësi konstruktive politike për ndërtim të shtetit. Ky aspekt e bënë Albin Kurtin një mashtruesi ordiner dhe asgjë më shumë.

Angazhimi i delegacionit shtetëror të Kosovës në negociatat e Brukselit, të mbështetur nga entitetet kryesore ndërkombëtare sikur se BE-ja dhe SH.B.A-të , për arritjen e një marrëveshje finale me Serbinë është i kushtëzuar nga nevoja që ka Kosova për të përmbyllur përfundimisht rrugëtimin e saj historik të shtetësisë, pra për përkufizimin juridik dhe politikë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe sigurimin e njohjes nga Serbia.

Po ashtu sic dihet sot strategjia e BE-së për zgjerim në mënyrë decisive i bënë thirrje dy vendeve që të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht detyruese për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës në mënyrë që të dyja të jenë në gjendje për përparimin në rrugën e tyre evropiane. Dhe ky dokument sot ka karakter zyrtar. Janë këto fakte që e bëjnë dialogun të pa alternativ. Rrjedhimisht, Republika e Kosovës nuk mund të mos e këtë agjendë shtetërore këtë proces. Sepse, anëtarësimi i saj në OKB dhe integrimi i në strukturat euroatlantike dhe BE, janë pjesë integrale e orientimit të saj institucional dhe strategjik për të garantuar stablitetitin, qëndrueshmërinë dhe zhvillimin afatgjatë shtetëror. Prandaj, pjesëmarrja në këtë proces buron nga këto konsiderata shtetërore. Është absurde të pretendohet të realizohet kjo agjendë duke refuzuar dokumentet zyrtare të BE-së rekomandimet tjera ndërkombëtare.

Republika e Kosovës e ka të domosdoshme anëtarësimin në OKB për t’ja siguruar vetës ekzistencën stabile dhe garantimin permanent subjektivitetit të saj shtetëror ndërkombëtar.

Dhe nëse me trillet e tij politike Albin Kurti duke i kundërshtuar si negociatat e Rambujesë ashtu edhe ato të Vjenës nuk ka mundur ta ndal si çlirimin dhe as sigurimin e shtetësisë nëpërmjet këtyre proceseve, nuk ka dilemë edhe kjo inciativë e tij e kontestimit të këtij procesi që ka për qëllim t’i siguroj Kosovës ulësen në OKB do të dështojë pashmangshëm në koshin e mbeturinave ideologjike antishtetërore që Albin Kurti dhe lëvizja e tij e përfaqësojnë.