14:55 / E Martë, 22 Maj 2018 / indeksADMonline

Tahiri: Fuqizimi i sundimit të Ligjit, parakusht themelor për bizneset

Sundimi i Ligjit dhe fuqizimi i sundimit të Ligjit është një parakusht themelor për një biznes të shëndetshëm dhe të zhvilluar në Republikën e Kosovës.

Kështu u tha  sot në Mitrovicë, gjatë takimit të ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, së bashku me përfaqësues të Agjencisë për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), si dhe përfaqësues të Odës Ekonomike Amerikane, me bizneset nga rajoni i Mitrovicës, ku u diskutua lidhur me ndikimin e drejtësisë në biznes, si dhe sfidat dhe mundësitë e reformave në sektorin e drejtësisë në relacion me biznesin. Ministri Tahiri  tha se problemet e deritashme të bizneseve të cilat ndërlidhen me drejtësinë nuk janë të vogla.

Sipas tij, pikërisht për këtë arsye është filluar me një reformë të rëndësishme që ndërlidhet me gjykatat të cilat ndajnë drejtësi për bizneset.

Ai potencoi çështjen nëse Kosovës i nevojitet një Gjykatë komerciale, për të cilën tha se është duke u trajtuar me shumë vëmendje nga ekspertë vendorë e ndërkombëtarë.Tahiri foli edhe për krijimin e kushteve për investitorë të huaj, mirëpo gjithnjë duke mos harruar këto kushte edhe për investitorët vendorë.Arian Zeka, nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë theksoi krijimin e një gjykate fiskale të veçantë, si dhe rritjen e kapaciteteve të divizionit fiskal, në mënyrë që të shtohet numri i gjykatave në Kosovë të cilat do të trajtojnë rastet e kësaj natyre.

Ai përmendi po ashtu dëshirën që Kosova të ketë një Kod komercial që i përfshinë të gjitha ligjet të cilat i rregullojnë çështjet komerciale dhe të jetë shembull në këtë drejtim në Ballkan.Flamur Lajçi, përfaqësues i KIESA-s, foli për organizimin e konferencave rajonale nga ana e Agjencionit të cilin e përfaqëson, ndërsa ka përmendur edhe disa projekte që janë organizuar në mbështetje të bizneseve të ndryshme.

Ndërkaq, Rrustem Abiti nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), ka falënderuar institucionet e vendit për krijimin e kushteve të volitshme për bizneset, fal së cilës, siç tha ai, Kosova sot ndodhet në vendin e 40-të sa I përket përmirësimit të kushteve të të bërit biznes.

Ai e ka quajtur të padrejtë shuarjen e Gjykatës ekonomike, ndërsa ka propozuar që të paktën qytetet e mëdha të Kosovës të kenë gjykatës që do të merreshin me çështje ekonomike.Në anën tjetër, pjesëmarrësit e këtij takimi kanë parashtruar pyetje të ndryshme siç janë prolongimi i lëndëve nëpër Gjykata, pastaj ndryshimi i Ligjit të prokurimit, çka duhet bërë Ministria e Drejtësisë për të përmirësuar imazhin për sundimin e Ligjit përballë investitorëve të huaj dhe të ngjashme.

Ministri i Drejtësisë Tahiri, premtoi se do të angazhohet me përkushtimin më të madh që këto probleme të zgjidhen në mënyrë që të eliminohen të gjitha problemet dhe pengesat në mes të bizneseve dhe drejtësisë. Ndryshe, në fund të këtij takimi u theksua përkushtimi i dyanshëm për fuqizim të sundimit të Ligjit dhe të zhvillimit të mëtejshëm ekonomik në vend, përmes koordinimit të plotë të bizneseve dhe institucioneve, si dhe përqendrimit maksimal në rritjen ekonomike, krijimin e vendeve të reja të punës dhe përmirësimin e mirëqenies sociale.