17:21 / E Martë, 13 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Tahiri: Projektligji për amnisti, përpjekje për legjitimimin e dhunës së deputetëve në Kuvend

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka komentuar nismën për hartimin e Projektligjit për Amnisti të disa deputetëve, të cilët kishin hedhur gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit të Kosovës.

Tahiri në një postim në Facebook ka shkruar se do të angazhohet që kjo nismë mos të mbështetet si e tillë, shkruan Indeksonline.

Ja postimi i Tahirit:

Nisma legjislative për propozimin dhe hartimin e Projektligjit për Amnisti, e ndërmarrë së fundmi nga disa deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, është përpjekje direkte për të legjitimuar dhunën e manifestuar nga deputetë të mandatit të kaluar brenda hapësirave të institucionit të Kuvendit.

Kjo nismë legjislative ka për qëllim të përjashtojë nga ndjekja penale, individë të caktuar, të cilët kanë përgjegjësi penale individuale për veprat për të cilat janë duke u hetuar dhe për një pjesë edhe janë dënuar

Projektligji mëton të vendosë një praktikë të pa precedentë deri më tani dhe si e tillë, edhe cenon parimin e barazisë para ligjit për të gjithë qytetarët, dhe për më tepër i lëndon përpjekjet dhe angazhimet e përbashkëta institucionale për fuqizimin dhe konsolidimin e sundimit të ligjit dhe Shtetit të së Drejtës.

Ministria që unë udhëheqë, në bazë të përgjegjësive ligjore, sipas kërkesës së Zyrës së Kryeministrit, ka përgatitur Opinionin e saj, i cili evidenton se kjo nismë paraqet regres për rendin juridik dhe mbi këtë bazë do të angazhohem edhe personalisht që kjo nismë të mos mbështetet si e tillë. /Indeksonline/