16:11 / E Martë, 07 Gusht 2018 / indeksADMonline

Takimi i nivelit të lartë për luftën kundër korrupsionit, i pranishëm zv ministri Shkodra!

Në Prishtinë është mbajtur takimi i nivelit të lartë në lidhje me aktivitetet për ngritjen e kapaciteteve për parandalimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në këtë takim ka marrë pjesë edhe zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Selami Shkodra.

Më poshtë gjeni fjalimin e plotë të zëvendësministrit Shkodra.

Të nderuar ministra, përfaqësues të Bashkimit Evropian, të nderuar të pranishëm,

Zonja dhe zotërinj,

Krahas përpjekjeve të vazhdueshme të institucioneve relevante të Republikës së Kosovës, lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit, dhe ekstremizmit të dhunshëm, vazhdon të mbetet sfidë dhe rrjedhimisht top prioritet i qeverisë së Kosovës. Që nga paslufta, e sidomos pas shpalljes së pavarësisë, është investuar shumë në krijimin e strukturës institucionale, ligjore dhe kadrovike për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, e tash rishtazi edhe ekstremizmin e dhunshëm, si sfidë më e vonshme krahasuar me dy të parat.

Është e rëndësishme të theksohet edhe mbështetja e vazhdueshme, e shpesh herë edhe kompetencat e përbashkëta, e në disa raste edhe ekskluzive të komunitetin ndërkombëtar në Kosovë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Edhe takimi i sotëm reflekton mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht Bashkimit Evropian, në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Institucionet e Republikës së Kosovës, në këtë rast Ministria e Punëve të Brendshme ka një rol të veçantë në këtë drejtim në hartimin dhe implementimin e politikave kundër këtyre sfidave, të cilat janë jo lehtë të përballueshme sidomos për shtetet me institucione të reja, siç është Kosova.

Është më se evidente se reformat e deritanishme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit kanë nevojë të thellohen e zhvillohen më tutje, nëse marrim për bazë rezultatet e prekshme në këtë përpjekje. Nevoja e avancimit të rregullimit të çështjes së konfiskimit të pasurisë së krijuar në mënyrë kriminale, gjë që adresohet ekskluzivisht në këtë takim, është e domosdoshme dhe jetike për të dhënë frytet e pritura në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ndërsa mungesa e një rregullimi adekuat të kësaj çështje nënkupton mos efikasitet në këtë luftë, e në shumë raste edhe inkurajim e fuqizim ekonomik i krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ky projekt i mbështetur nga Bashkimi i Evropian është një mundësi e mirë për të institucionalizuar përvojat më funksionale dhe më frytdhënëse në reformën e rregullimit të konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë kriminale, e rrjedhimisht për të fuqizuar sundimin e ligjit në Kosovë.

Andaj, Qeveria e Republikës së Kosovës mbështet iniciativën për këtë reformë si nevojë imediate dhe jetike për tu siguruar që të përmbush objektivat e saja në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ministria e punëve të brendshme zotohet në mbështetjen e projektit dhe në përmbushjen e detyrimeve dhe obligimeve ligjore të nevojshme për këtë reformë dhe për sundimin e ligjit në përgjithësi./Indeksonline/