22:00 / E Martë, 19 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

“Të më varrosin, s’dal nga shtëpia”, gruaja kërcënon vetëvrasje (Video)

Një familje në rrugën “Papa Kristo Negovani”, në afërsi të zonës së njohur si “Dervish Hatixhe”, është lajmëruar se duhet të lërë banesën. Mbrëmjen e sotme oficerët e policisë, në bashkëpunim me zyrën e përmbarimit, kanë shkuar për të nxjerrë banorët nga shtëpia.

E zonja e shtëpisë kërcënon bashkë me të bijën se do të hidhen dhe do të vetëflijohen, ndërsa bëjnë me dije se nuk kanë asnjë plan të lënë banesën.

Gruaja thotë se preferon ta vrasin e ta varrosin dhe më pas të bëjnë ç’të duan me atë shtëpi, të cilën e ka bërë me djersë, gjak e jo me drogë.

JOQ.al dërgoi gazetarët e saj në terren, ndërsa më poshtë keni pjesë nga fjala e zonjës:

Shtëpinë e kemi blerë që në 1984. Na kanë thënë që do bëhet pallati, ndaj duan të na i prishin shtëpinë. Unë s’dal prej shtëpie, do varrosen këtu brenda shtëpisë time.

Mos të futet njeri brenda se do bëj namin. Dëgjuat? Nuk dal nga shtëpia se i kam bërë me gjak. Le të vijë Edi Rama këtu të shikojë çfarë i bën popullit. Dëgjuat? Nuk largohem unë që këtu. Dëgjuat? Më varrosni mua pastaj bëjeni shtëpinë. Le ta shembin të gjithë pasi të vdes unë. Na janë mbledhur këtu sikur jemi kriminelë. Mos u afroni. Për një pronar doni me prish gjithë shtëpinë. Me lenë njerëzit jashtë, me marrë jetën e njerëzve. S’kam ngrënë bukë për të bërë shtëpinë, për t’u bërë një gjë kalamajve. Ka shtëpi që i bëjnë me drogë e me pislliqe dhe ua kanë lënë. Ne i kemi bërë me gjakun e shpirtit”.