19:28 / E Martë, 31 Korrik 2018 / indeksADMonline

Emërimi i ambasadorëve, reagon partia e Isa Mustafës

Lidhja Demokratike e Kosovës ka akuzuar partitë në pushtet për shkelje të ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbim Diplomatik duke emëruar për ambasadorë, siç ka thënë ajo, militantë politik e partiak dhe duke injoruar kërkesën ligjore që mos të tejkalohet kuota prej 50% në emërime politike
Sipas një komunikate të LDK-së, sot, nënkryetarja e Komisionit nga radhët e AAK-së ka thirrur mbledhjen e Komisionit për Punë të Jashtme për intervistimin edhe të dy kandidatëve për ambasadorë politikë të propozuar nga MPJ.

“Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike e Kosovës e konsideron këtë proces të paligjshëm dhe për këtë arsye Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, deputetja Vjosa Osmani dhe anëtarja e këtij komisioni deputetja Doruntinë Maloku, kanë refuzuar të marrin pjesë në këtë mbledhje dhe të bëhen pjesë e shkeljeve ligjore”, thuhet në komunikatë.

Sipas LDK-së, neni 7.7 i Ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës kërkon që së paku 50% e të emëruarve si shefa misionesh të jenë Ambasadorë të karrierës, ndërsa pjesa tjetër të jenë të emëruar politik.

“Meqenëse përqindja e të emëruarve politikë në Ambasadat e Kosovës anekënd botës tashmëështë tejkaluar dhe arrin në rreth dy të tretat , gjë tëcilën e ka konfirmuar edhe vet Ministri i Jashtëm, z. Pacolli, përfaqësueset e LDK-së në Komision, kanë propozuar që mos të ketë emërime të reja politike derisa të rregullohet kuota prej 50/50, e kërkuar me ligj”, thotë LDK

Grupi Parlamentar i LDK-së konsideron se nënshkrimi i rekomandimeve të tilla nga ana e Presidentit të Kosovës, bie ndesh me ligjin dhe tejkalon kompetencat e tij kushtetuese.