13:38 / E Mërkurë, 10 Janar 2024 / MSH

Akuza dhe dëshmitarë, ja si shkoi seanca e Milenkoviqit, i akuzuar për krime lufte

Është mbajtur sot seanca gjyqësore ndaj, Dragisha Milenkoviq, i akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile.

Milenkoviq u përball më dëshmitarët që janë ftuar të dëshmojnë për vuajtjet dhe torturat që kishin përjetuar, raporton Indeksonline.

Prokurori special, Atdhe Demaj ka lexuar aktakuzën ndaj të pandehurit Dragisha Milenkoviq.

Demaj tha se ekziston besimi i bazuar mirë që Dragisha Milenkoviq ka kryer krime lufte kundër popullatës civile.

Milenkoviq, ish-gardian në burgun e Prishtinës dhe Lipjanit gjatë periudhës së luftës ka torturuar në mënyrë çnjerëzore të burgosurit shqiptarë.

“Pas zhvillimit të hetimeve paraqitet aktakuzë ndaj Dragisha Milenkoviq, sepse ekziston besimi i bazuar mirë se i pandehuri, ish-gardian i burgut të Prishtinës gjatë periudhës së luftës në Kosovë, në burgun e Prishtinës dhe Lipjanit në bashkëkryerje me ish-gardianë të burgut, duke vepruar në kundërshtim më ligjin, në mënyrë sistematike i kanë maltretuar të burgosurit shqiptarë. I kanë torturuar në mënyrë çnjerëzore me kabllo elektrike, gypa të ujit, shqelma e grushte duke iu shkaktuar lëndime trupore, dhunë psikike e duke i lënë pa ngrenë për një javë, e si pasojë e kësaj kanë pësuar gjendje ankthi”, ka thënë prokurori.

Milenkoviq është deklaruar i pafajshëm për pikën 1 dhe 2, që ka të bëjë me torturat në burgun e Prishtinës dhe Lipjanit, por ka pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje.

Avokati i Milenkoviqit kërkoi arrest shtëpiak për klientin e tij, por që një gjë e tillë u refuzua nga trupi gjykues.

Më poshtë ndiqni kronikën e përgatitur nga Indeksonline.