09:34 / E Hënë, 12 Qershor 2023 / mp

Auditori del me raport/ Presidenca shkel ligjin me emërime të ushtruesve të detyrës

Punësimet jo të rregullta dhe emërime në pozita si Ushtrues Detyre, është fenomeni i pushtetit të ri, që në pushtet erdhi me premtime për ndryshime.

Dukuria e emërimeve të personelit si UD është e theksuar përveç Qeverisë edhe nga Zyra e Presidentes Vjosa Osmani.

 Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), ka konstatuar se presidenca gjatë vitit 2022 i ka tejkaluar afatet e parapara ligjore me zëvendësues të detyrës.

“Në tetë raste kemi vërejtur se pozitat e rregullta të punës ishin zëvendësuar përmes vendimeve si zëvendësues, vendimeve si zëvendësues detyre në pozita të ndryshme e që ushtronin këto detyra për më gjatë se 12 muaj. Mbajtja e pozitave si zëvendësues me gjatë se afati i paraparë me ligj, janë bërë si rezultat i mos kujdesit të duhur nga menaxhmenti i ZPRK-së”, thuhet në raport.

Auditori ka vlerësuar se ndikim i mbajtjes së pozitave me zëvendësues për një kohë të gjatë, përveç se nuk është në pajtueshmëri me legjislacionin në fuqi, rrezikon që pozitat e ndryshme të mbajnë nga persona që nuk i përmbushin kriteret e përcaktuara për pozita adekuate.

Ndryshe sipas ZKA-së, presidenca vitin 2022 kishte buxhetin final për paga dhe mëditje 1.110,588 euro, prej tyre ishin shpenzuar 914,795 euro apo 82%. Numri i të punësuarve sipas buxhetit ishte 83 ndërsa në fund të vitit 2022 numri i tyre ishte 70. /IndeksOnline/