19:02 / E Diele, 13 Maj 2018 / indeksADMonline

Boronicat e kuqe nuk ndihmojnë tek infeksionet urinare

Një studim ka treguar se nuk ka pasur dallime në praninë e baktereve ndërmjet grupeve të cilat merrnin placebo dhe atyre që kishin marrë boronica të kuqe.

Boronicat e kuqe, lëngu i tyre dhe çdo produkt boronicë shpesh rekomandohet si mënyrë e natyrshme për të parandaluar infeksionet e traktit urinar, por një studim i botuar në revistën American Medical Society argumenton se nuk ka prova shkencore për këtë.

Njerëzit nga një shtëpi pleqsh që janë të prirë ndaj infeksioneve urinare më shpesh se pjesa tjetër e popullsisë kanë marrë kapsula me doza të larta boronice gjatë studimit, por nuk kanë pasur numër më të vogël të infeksioneve urinare sesa ata që kishin marrë placebo, thonë shkencëtarët.

“Megjithëse studimi ynë u krye vetëm në shtëpi pleqsh, shumë studime të tjera të kryera në një popullsi më të gjerë nuk treguan se ka ndonjë përfitim nga boronica e kuqe”, tha Manisa Jutani Meta, autore kryesore e studimit dhe profesoreshë e asociuar në Yale.

“Gratë që pëlqejnë të konsumojnë boronica ose lëngje boronice, i inkurajoj që të vazhdojnë ta bëjnë këtë, “ka shtuar ajo.

Ajo thotë se shpenzimi i parave në kapsulën e boronicës me “potencial të kufizuar të përdorimit” për parandalimin e traktit urinar të infeksionit “nuk ka asnjë dobi”.

Studimi i ri që është kryer nga Instituti Kombëtar për Shëndetin dhe Përkujdesjen në Britaninë e Madhe, ka pasur rezultat të njëjtë.

“Shumica e infeksioneve urinare kërkojnë antibiotikë, por duhet të jemi më të mençur në mënyrën se si i përdorim ato”, tha profesor Mark Barker.

Infeksionet urinare godasin meshkujt dhe femrat e të gjitha moshave dhe me kalimin e viteve ndjeshmëria e traktit urinar rritet. Infeksionet mund të përhapen në veshka dhe ndodh shpesh që personat nuk janë në dijeni se kanë baktere, pasi nuk ka simptoma ose janë të buta.

Sipas disa hulumtimeve, gjysma e personave që jetojnë në shtëpi ka ndonjë bakter në urinë, edhe pse nuk ka asnjë simptomë të infeksionit.

Për shërimin e infeksioneve më së shpesh përshkruhen antibiotikë, por disa nga bakteret janë rezistuese dhe ndodh kthimi i infeksionit. Për këtë arsye rekomandohet pirja e lëngut të boronicës, pasi besohet se acidi i saj ndryshon vlerën PH të traktit urinar dhe ruan legenin nga zhvillimi i infeksioneve.

Edhe pse nuk është e qartë origjina e këtij bari popullor, një studim shkencor i kryer në vitin 1923 vërtetoi se boronicat dhe kumbullat e thara ndikojnë në acidin e urinës.

Studimi i parë i efikasitetit të lëngut u publikua në vitin 1994. Rishikimi i 24 studimeve me gjithsej 4.473 pjesëmarrës në vitin 2012 ka gjetur pak prova për efikasitetin e lëngut të boronicës dhe ka konstatuar se “nuk është e mundur të rekomandohet për parandalimin e traktit urinar”.