11:34 / E Enjte, 05 Prill 2018 / indeksADMonline

Bruto produkti vendor u rrit për 3.7 % në 2017-ën

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikoi raportin për Bruto Produktin Vendor (BPV) për tremujorin e katërt 2017.

Sipas ASK-së, në tre muajt e fundit të vitit të kaluar Bruto Produkti Vendor shënoi rritje.

Bruto Produkti Vendor(BPV) në tremujorin e fundit të vitit 2017 shënon rritje reale për 3.2 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të 2016-ës, tregoi ASK-ja.

Aktivitetet financiare dhe të sigurimit kontribuuan më së shumti në këtë rritje

“Rritja reale e BPV-së sipas aktiviteteve ekonomike është si vijon: aktivitetet financiare dhe të sigurimit (30.4%); industria përpunuese (7.4%); transporti dhe magazinimi (6.8%); tregtia me shumicë dhe pakicë (5.7%); afarizmi me pasuri të patundshme (4.2%); industria nxjerrëse (4.0%); hotelet dhe restorantet (3.9%); bujqësia, gjuetia dhe pylltaria (3.4%); dhe ndërtimtaria (2.6%)”, thuhet në komunikatë.

Sipas ASK-së, rënie reale kishte në të dhënat e furnizimit me energji elektrike, ujë dhe trajtim të mbeturinave 22.0 për qind.

Bruto Produkti Vendor u rrit edhe sipas qasjes së shpenzimeve.

“BPV-ja sipas qasjes së shpenzimeve ka pasur rritje krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak në: eksportin e mallrave dhe shërbimeve (35%); importin e mallrave dhe shërbimeve (6.67%); formimin e bruto kapitalit (4.0%); shpenzimet e konsumit final të Qeverisë (3.5%); shpenzimet e konsumit final të ekonomive shtëpiake dhe institucionet jopërfituese në shërbim të ekonomive shtëpiake (0.1%)”, thotë komunikata.

ASK-ja konstatoi se në vitin 2017 Bruto Produkti Vendor pati një rritje prej 3.74 për qind, krahasuar me vitin 2016.

Bruto Produkti Vendor paraqet performancën ekonomike të një vendi për një periudhë të caktuar kohore.

Rritje Bruto Produkti Vendor pati edhe në periudhën korrik- shtator 2017.

Temat: